Uashington Wizards regjistroi fitoren e dytë në këtë sezon në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. Wizards mundën Nju Jorkun në sfidën e radhës, me rezultatin 95-108.
Uashingtoni e kontrolloi mjaft mirë ndeshjen për pjesën më të madhe të saj, duke e vuajtur lojën e Knicks vetëm në periodën e tretë, të cilën skuadra njujorkeze e mbylli me avantazhin 28-23. Për Uashingtonin, Wall shënoi 26 pikë, ndërsa Beal 22. Në krahun tjetër, te Nju Jorku u dallua Kanter, me 18 pikë e 12 topa në tabelë, ndërsa Dotson e mbylli sfidën me vetëm 11 pikë të shënuara.
Surpriza e mbrëmjes në NBA ishte humbja e San Antonios ndaj Orlandos në “AT&T Center”, 110-117, disfatë kjo që është e treta për skuadrën teksane. Në këtë përballje, Spursat e patën të pamundur të imponojnë lojën e tyre në parket, e që në fillim e panë veten në disavantazhin e 10 pikëve, kur u regjistrua një rezultat i pjesshëm 36-26 për Magic.
San Antonio u zgjua vetëm në periodën e katërt, të cilën e mbylli 36-26, por që nuk i mjaftoi për të kthyer sfidën në favorin e vet. Njeriu i ndeshjet për Orlandon u bë Aaron Gordon me 26 pikë, i ndjekur nga Augustin me 18, Ross me 17 dhe Fournier me 16 pikë. Për San Antonion, 25 pikët e DeRozan nuk shërbyen, ndërkohë që Aldridge e mbylli takimin me vetëm 14 pikë, shifër kjo që është nën standardet e tij.
Toronto vazhdon të bëjë paraqitje spektakolare në këtë fillim sezoni në NBA. Këtë radhë, Raptors mundën Los Angeles Lakers 121-107, duke i shkaktuar skuadrës kaliforniane humbjen e 6 sezonale.
Toronto e vendosi shumë shpejt diktatin e saj në parket, duke e mbyllur periodën e parë me avantazhin 42-17. Lakers u përpoqën ta reduktonin disavantazhin, por në fund u detyruan që të dorëzoheshin përballë skuadrës kanadeze.
Për Toronton, Ibaka ishte i papërmbajtshëm dhe e mbylli sfidën me 34 pikë e 10 topa në tabelë, ndërsa Lowry shënoi një bilanc me 21 pikë e 15 asiste. Për Los Angeles Lakers, shënuesi më i mirë ishte Kuzma, me 24 pikë, ndërsa LeBron James u ndal në kuotën e 18 pikëve personale.
Top Channel