Në Shtetet e Bashkuara është ndezur një stuhi e vërtetë politike, por edhe debat ligjor, pas deklaratave të presidentit Donald Trump për të nënshkruar një urdhër ekzekutiv, që u mohon shtetësinë foshnjeve të lindura në Amerikë nga persona që nuk janë shtetas amerikanë, apo që janë emigrantë të paligjshëm.

“E ashtuquajtura ‘e drejta për shtetësi nga lindja’, e cila i kushton miliarda dollarë vendit tonë dhe është e padrejtë për qytetarët tanë, do të marrë fund në një mënyrë ose tjetër”, shkruan Trump në një postim në Tëitter, duke shtuar se as Kushtetuta nuk e garanton të drejtën e shtetësisë për të gjithë të lindurit në këtë vend.

“Është në proces dhe do të ndodhë”, tha Trump, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara janë vendi i vetëm që u jep foshnjeve shtetësinë në lindje. Por, në fakt nuk është kështu. Janë rreth 30 vende të tjera, përfshirë edhe fqinjët e Amerikës, Kanadanë dhe Meksikën, që e bëjnë këtë.

Megjithatë, disa vende në dekadat e fundit, – mes të cilëve Australia, Britania, Franca, India dhe Irlanda, – e kanë shfuqizuar këtë të drejtë.

Presidenti Trump tha se e kishte diskutuar këtë ide me këshilltarin e tij, i cili e kishte informuar se nuk nevojitet ndryshimi i Kushtetutës për t’i dhënë fund marrjes së shtetësisë nga foshnjet qysh në lindje, i njohur në gjuhën juridike si “jus soli”.

Sido që të jetë, një urdhër i tillë do të sfidohej ligjërisht dhe interpretimet sesi gjyqtarët do ta shihnin atë janë të ndryshme, e kanë të bëjnë me interpretimin e amendamentit të 14 të Kushtetutës.

Amendamenti i ratifikuar në vitin 1868 u projektua nga ligjvënësit për të siguruar pas Luftës Civile, që skllevërve të mëparshëm të mos u kufizoheshin të drejtat themelore si qytetarë nga shtetet e jugut. Amendamenti thotë:

“Të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe nën juridiksionin e tyre, janë qytetarë të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku banojnë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA