Hetimet për ngjarjen e rëndë në Bularat, kur minoritaret po festonin ditën e “Jo-së”, do bëhen nga Krimet e Rënda në bashkëpunim me prokurorët e Gjirokastrës. Arsyeja është se viktima ka kryer vrasje të mbetur në tentativë ndaj forcave te rendit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda është përfshirë në ngjarjen e Bularatit ku gjatë shkëmbimit me armë zjarri ndaj policisë u vra shtetasi Konstandinos Kotsifa. Përveç Prokurorit të Krimeve të Rënda Njazi Seferi është angazhuar edhe prokurori i Gjirokastrës Arben Pashaj, për dyshimet se bëhet fjalë për veprën vrasje e ngelur në tentativë për shkak të cilësive të veçanta të oficerëve të policisë.

Por për shkak se nuk ka përfunduar këqyrja e vendngjarjes, dosja nuk është sjellë ende në kompetencë të Krimeve të Rënda. Prokuroria thotë se përveç rrezikimit të jetës së disa oficerëve të RENEA-s dhe të policisë lokale ndaj të cilëve është gjuajtur nga i ndjeri drejtpërdrejtë ka dyshime se viktima ka kryer edhe krimin e nxitjes së urrejtjes mes kombeve. Por në rruge jo zyrtare Prokuroria sqaron se përsa kohë autori i këtyre krimeve u vra gjatë shkëmbimit me armë zjarri, është e pamundur që ai të hetohet apo të vendoset nën përgjegjësi penale.

Por pavarësisht kësaj hetuesit do shpresojnë të zbardhin shkaktarët që e shtynë 35 vjeçarin nga Bularati, që ditën e festës së Jo-së të marrë armën, të vishet me rroba ushtarake dhe të qëllojë kundër policisë. Nga arma e tij tip kallashnikov dhe me dylbi është qëlluar në drejtim të policisë me 44 plumba.

RENEA thotë se i ezauroi të gjitha fazat e operacionit që nga negocimi deri tek thirrja për dorëzim. Policia thotë se pasi kishte qëlluar fillimisht në orën 10 të mëngjesit të së dielës kundër policisë lokale, Kostandin Kotsifa është kthyer në banesën e tij, është ndërruar dhe ka telefonuar të ëmën duke i thënë “nuk do te marr ca kohë në telefon” .

Ai është ngjitur në shpatin e malit Bularat ku edhe ka filluar të qëlloje, derisa aty ka mbërritur reparti special. Shkëmbimi me armë zjarri ka zgjatur me tepër se dy orë thotë policia.

Ndërkohë që Avokati i Popullit ka nisur hetim të pavarur për çështjen.

35-vjeçari kishte 4 ditë që ishte divorcuar nga bashkëshortja, por autoritetet pohojnë se për shkak te veshjeve ushtarake kopjim i forcave komando greke, ai mbante edhe simbole të tjera që shtojnë dyshimet se ai ishte indoktrinuar nga një grup ekstremist në shtetin grek.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA