Me nga një pikë të fituar dhe me një barazim të mërzitshëm që nuk iu përgjigj entuziazmit të tifozëve, Kamza dhe Tirana nuk e ndryshuan diferencën mes tyre, dhe as e përmirësuan renditjen e kategorisë Superiore. Bardheblutë e impenjuar në periferinë e kryeqytetit nuk arritën as këtë ndeshje, ti japin gëzimin e parë trajnerit të ri, Ardi Mema.
Fraksioni i parë i lojës rezervoi shumë pak raste ndërsa pas pushimit loja u ngrit disi, por jo në nivelin e pritshëm. Tirana mori epërsinë me një gol të sulmuesit Junus Sentamu, pasi futbollisti nga Uganda u tregua i aftë të kapitalizojë në rrjetë, asistin e Grecës. Por kjo i shërbeu vendasve për tu zgjuar dhe japonezi Fukui barazoi rezultatin pas vetëm 5 minutash. Sulmuesi aziatik ndëshkoi ish ekipin e tij duke shfrytëzuar zhvillimet e një goditjeje dënimi, që gjetën të papërgatitur prapavijën bardheblu. 9 pikë për Tiranën dhe 8 për Kamzën pas 10 ndeshjesh.
Me të njëjtat shifra përfundoi edhe beteja e Vlorës mes Flamurtarit dhe Teutës, derbi bregdetar që në fërshëllimën finale të arbitrit, certifikoi nga një pikë për secilin. Një skemë e bukur e finalizuar nga sulmuesi Danilo Alvesh i dha vendasve epërsinë, por skuadra e trajnerit Daja nuk diti ta menaxhojë, madje e shpërdoroi para pushimit.
Teuta arriti të barazojë me një goditje dënimi nën mur, veprim që befasoi portierin Koliçi. Në fraksionin e dytë Flamurtari kërkoi golin e suksesit që mund ti jepte përkohësisht vendin e dytë, pro pa sukses.
Top Channel