Këtë mesjavë luhen ndeshjet e radhës për Champions League. Ditën e sotme, vëmendja është e përqëndruar te supersfida e “Old Trafford”-it, mes Manchester United dhe Juventusit.
Në rast se fiton, skuadra e Massimiliano Allegrit shkon në 9 pikë dhe i afrohet kualifikimit në 1/8-at e finaleve. Por, sfida e “Old Trafford” është edhe e “ish”-ëve, duke qenë se përballë do të jenë Paul Pogba dhe Cristiano Ronaldo, që kanë pasur të kaluarat e tyre në Torino e Manchester respektivisht.
Për Juventusin, që nuk do të ketë Mario Mandzukiç, kjo e sotmja do të jetë hera e parë që luan në “Old Trafford” që nga finalja e Championsit në vitin 2003, të humbur kundrejt Milanit pas gjuajtjeve të 11-metërshave.
Por, Manchester United-Juventus nuk është e vetmja sfidë që do të luhet sonte në mbrëmje për Champions League.
Në fushë do të zbresë edhe Reali i Madridit, që është në krizë të plotë. Skuadra “merengues” ka shumë ndeshje që nuk fiton dhe sot do të ketë përballë çekët e Viktoria Plzen, në një ndeshje që mund të jetë vendimtare për trajnerin Lopetegui, edhe pse në fillim të këtij sezoni kjo as që mund të imagjinohej.
Kampionët e Anglisë, Manchester City do të luajë në Ukrainë ndaj Shakhtar Donetsk, në stadiumin “Metalist”. “Citizens” janë në kuotën e 3 pikëve pas dy ndeshjeve të para, pikë që i morën pas fitores së arritur në ndeshjen e raundit të dytë të turneut, ndaj Hoffenheimit. Kjo është përballja e tretë mes këtyre dy skuadrave. Në dy sfidat e mëparshme, Shakhtari dhe Manchester City kanë nga një fitore.
Top Channel