Ylli i Kuq i Beogradit (Crvena zvezda) ka vendosur të heshtë në lidhje me akuzat për trukimin e ndeshjes së Champion League me Paris SG, që u fitua nga kjo e fundit me rezultatin tenistik 6-1.
Skandali për trukimin e kësaj ndeshjeje shpërtheu pas artikullit të publikuar nga e përditshmja franceze “L’Equipe”, sipas së cilës një prej drejtuesve të Yllit të Kuq kishte vendosur bast 5 milionë euro për humbjen me një diferencë prej 5 ose më shumë golash të skuadrës së tij.
Artikulli shkaktoi shumë indinjatë në Serbi, aq sa reagoi edhe vet presidenti Alexandar Vuçiç, i njohur si një tifoz i flaktë i Crvena zvezdës. Kreu i shtetit serb tha se është shumë skeptik në lidhje me këto akuza dhe se nuk ka gjëra të vërteta në atë që po përflitet.
Klubi reagoi me dy komunikata, ku hodhi poshtë akuzat dhe paralajmëroi për ndërmarrje të veprimeve ligjore ndaj “L’Equipe” Por, pas kësaj, Crvena zvezda vendosi të rrethohet nga një mur heshtjeje, pasi askush nga drejtuesit nuk po bëjnë më komente në lidhje me këtë histori.
Ndërkohë, e përjavshmja e pavarur “Vreme” ka hedhur dritë mbi precedentët e korrupsionit në sport në Serbi, duke theksuar se trukimi i ndeshjeve dhe pastrimi i parave janë fenomene të njohur në vendin ballkanas dhe se Partizani i Beogradit e Crvena zvezda kanë reputacion të shëmtuar.
Këtu nuk duhen lënë pa përmendur as tifozët e këtyre dy ekipeve, që shpesh shkaktojnë trazira dhe kanë probleme me ligjin. Ndërkohë, edhe kontrolli i klubeve serbe të futbollit është i paqartë, pasi zyrtarisht ato janë në pronësi të institucioneve publike.
Top Channel