Një ditë pas arrestimit të dy ish-deputetëve të tij, Edi Rama mblodhi me dyer të mbyllura grupin parlamentar socialist.
Burimet i thanë Top Channel se ndonëse nuk ka përmendur Arben Çukon dhe Arben Ndokën, Kryeministri është shprehur me tone të irrituara duke deklaruar: “Kemi drejtorë legena që na nxijnë fytyrën me keqmenaxhim dhe korrupsion”. Për të analizuar këtë situatë, Rama urdhëroi edhe thirrjen e një mbledhjeje të Kryesisë së Partisë Socialiste, për mëngjesin e të martës.
Në përfundim të mbledhjes, ishte deputeti Pjerin Ndreu, ai që i doli në mbrojtje mikut të tij Arben Ndoka, duke kritikuar Prokurorinë dhe Policinë tha se : “Kam rezerva për mënyrën skandaloze se si u veprua me Z. Ndoka, me mënyrën se si e kanë arrestuar , sjelljen e shëmtuar që kanë bërë forcat aty dhe aplikimin e dy standardeve në një grup që quhet grupi i parëndësishëm dhe merret me një prokurori lokale. Nuk gjykoj provat, ato i ka Prokuroria e Krimeve të rënda. Por, mënyra e të vepruarit të Prokurorisë dhe të Policisë në dy raste të ndryshme në Lezhë është e habitshme”.
Ndryshe nga Ndreu, Prokurorinë e mbrojti kryetarja e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj, e njohur për miqësinë e saj me Arta Markun.
“Çfarë do të thotë tani opozita për keqpërdorim politik të prokurorisë?! Njerëzit që abuzojnë me pushtetin nuk kanë ngjyrë” , tha Felaj.
Ndërkohë mësohet se deputetët socialistë u porositën nga Kryeministri në mbledhjen e grupit që të mos mungojnë të enjten në seancë, për të dhënë një mesazh kompaktësie kur në votim pritet të kalojnë ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit, që mbyllin me 1 janar të gjitha pikat e basteve në Shqipëri.
Rama mësohet të ketë uruar që opozita të kthehet në Parlament për t’iu bashkuar këtij votimi, ndonëse javën e kaluar i cilësoi rivalët e tij politikë si mbështetës të aktivitetit të basteve, përmes të cilit tha Rama financohen grupet kriminale.
Top Channel