Dy javë më parë bashkë, sot Mema kërkon të mposhtë Dajën.

Mbrëmjen e kësaj të hëne, në orën 18:00 do të luhet ndeshja mes Flamurtarit dhe Tiranës, që do të mbyllë javën e nëntë dhe të fundit të fazës së parë të Kategorisë Superiore.

Të dyja skuadrat po përjetojnë momente jo shumë të mira, në prag të kësaj ndeshjeje. Flamurtari i Ilir Dajës nuk shkoi më shumë sesa barazimi 2-2 në sfidën e javës së 8 ndaj Kamzës, ndërkohë që Tirana humbi ndaj Laçit 0-1, disfatë që solli edhe largimin e trajnerit Ze Maria dhe ardhjen në pankinë të Ardian Memës.

Ky i fundit vjen pikërisht nga Flamurtari, ku deri përpara dy javësh ishte në rolin e asistentit të Ilir Dajës. Debutimin e tij si trajner i parë, Mema do ta bëjë pikërisht kundër ish-skuadrës së tij. Në konferencat për shtyp të dhëna përpara ndeshjeve, si trajneri Daja, ashtu dhe Mema deklaruan se synimi i skuadrave të tyre është të fitojnë këtë përballje, që përkufizohet si e vështirë.

Të dielën, Skënderbeu arriti të fitojë ndaj Kamzës me rezultatin 2-0, me gola të John dhe Bregut, e vazhdon t’i qëndrojë pranë skuadrës së Partizanit, që nga ana e tij mundi Luftëtarin e Gentian Mezanit në “Selman Stërmasi”, me rezultatin e ngushtë 2-1. Golat u shënuan nga Mensah e Telushi, me 11-metërsh, ndërkohë që për gjirokastritët shënoi Shkurtaj, në atë barazim të përkohshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA