Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi këtë të premte se, krijimi i ushtrisë së Kosovës do të “rrezikonte paqen dhe stabilitetin” dhe do ta fuste vendin në “telashe të mëdha”.
Paralajmërimi vjen një ditë pasi Kosova ndërmori hapat e parë drejt krijimit të ushtrisë së saj, 10 vite pasi deklaroi pavarësinë, pavarësisht kundërshtimit të ashpër të pakicës serbe dhe vet Serbisë.
Që prej fundit të luftës së viteve 1998-’99 mes Forcave të Armatosura të Serbisë dhe grupeve guerile të shqiptarëve që kërkonin pavarësi, forcat ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO, më konkretisht Misioni i KFOR-it, ishin ngarkuar me ruajtjen dhe garantimin e sigurisë në Kosovë.
Më shumë se 4.000 trupa të KFOR-it janë aktualisht të dislokuar në mbarë territorin e Kosovës, pavarësinë e së cilës e njohin mbi 110 shtete, por jo Serbia, e cila e konsideron ende si provincë jugore të saj.
Që prej shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Serbia në vitin 2008, Kosova është përpjekur të krijojë ushtrinë e saj, por përpjekjet janë përballur me kundërshtinë e ashpër nga Serbia, e cila ka ende një ndikim të gjerë te minoriteti serb në Kosovë dhe veçanërisht te deputetët e kësaj etnie në Parlament.
Pasi u takua me zyrtarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, Vuçiç tha se kishte nxitur Shtetet e Bashkuara, një mbështetës i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës, “të kuptojë qartë se krijimi i ushtrisë do të rrezikonte paqen dhe stabilitetin dhe do të çonte drejt pasojave tragjike”.
“Do të gjendeshim në telashe të mëdha dhe do të liheshim në një cep mënjanë, nëse politika e krijimit të ushtrisë së Kosovës do të vazhdojë”, tha Vuçiç për reporterët. Parlamenti në Prishtinë kaloi të enjten tri projektligje që shtronin bazat për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, një forcë emergjencash e stërvitur për t’u përgjigjur në raste katastrofash, drejt një ushtrie të rregullt.
Lëvizja synon të shmangë kështu nevojën për ndryshime kushtetuese për krijimin në mënyrë të ligjshme të Forcave të Armatosura, një masë që do të kërkonte një shumicë prej dy të tretash mes deputetëve shqiptarë dhe atyre 20 deputetë joshqiptarë, gjysma e të cilëve janë serbë. Këta të fundit kanë bllokuar çdo nismë të kësaj natyre në të kaluarën.
Të enjten, Vuçiç paralajmëroi gjithashtu se krijimi i ushtrisë së Kosovës, sikurse edhe largimi i mundshëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), do ta detyronin Serbinë drejt një “pozicioni tmerrësisht të vështirë”. Në një pozicion të tillë, “ne nuk kemi zgjidhje tjetër, veçse të mbrojmë vendin tonë dhe popullin tonë”, citohet të ketë thënë Vuçiç nga agjencia e lajmeve “Beta”.
Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve janë ndalur prej muajsh, por nisën të gjeneronin kujdes dhe shqetësim këtë verë, pikërisht pasi Vuçiç dhe homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi, sinjalizuan gatishmërinë për ndryshime kufijsh.
Top Channel