Që nga momenti kur Kosova u pranua me të drejta të plota në FIFA, përmes një votimi të 13 majit të vitit 2016, askush në qeverinë e futbollit botëror nuk do ta kishte menduar se përfaqësuesja më e re e globit do të kishte kaq shumë progres.

Skuadra e trajnerit Bernard Challandes kryeson në grupin 3 të Ligës D dhe ka mundësi të mira për t’u ngjitur më lart, e pse jo të synojë dhe finalet e Europianit të vitit 2020.

Suksesi i deritashëm i skuadrës tërhoqi vëmendjen e shtëpisë së futbollit, që kishte në fokus “Dardanët” në një reportazh të veçantë. Pas kualifikueseve të Botërorit, që shkuan si mos më keq, tani në Ligën e Kombeve, sipas FIFA-s “Kosova po hedh bazat për një të ardhme të ndritshme”.

“Duhet vetëm të kujtoni që ne nuk kishim vërtet me çfarë t’ia nisnim. Federata jonë bëri një punë të mrekullueshme, stadiumi është i mirë dhe kemi ligën tonë. Ne mund të zhvillojmë stilin tonë. Po ashtu mund të futemi në 100 vendet e para të FIFA-s, në muajt e ardhshëm. Ky është objektivi ynë kryesor. Pas kësaj do të vendosim të tjerë”, tha Samir Ujkani, futbollist i Kosovës.

Kosova synon të ngjitet në Ligën C, në formatin e ri të UEFA-s, e nën drejtimin e Bernard Challandes, që zëvendësoi Albert Bunjakun një vit më parë, ka shtuar kuotat e saj dhe ambiciet për një të ardhme të madhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA