Shpendët e fundit shtegtarë janë duke braktisur Luginën e Drinos në Gjirokastër, për t’u rikthyer në pranverë.
Çafkat e përhime duket se do të largohen të fundit, pasi ndeshen ende atje ku rrjedhat kanë më shumë ujë. Këtë vit, tregojnë specialistët e zonave të mbrojtura, i gjithë qarku, por sidomos Lugina e Drinos, regjistroi një rritje të lehtë të numrit të kafshëve dhe shpendëve.
Megjithatë, llojet që janë pjesë e librit të kuq të faunës së rrezikuar vijuan të ishin të kërcënuara seriozisht me zhdukje edhe këtë verë. Çiftet e fundit të kalit të qyqes të mbetura u larguan në shtegtim pak ditë më parë. Kërcënim për shpendin e rrallë ishte helmi i barinjve në përpjekje për të eleminuar ujkun.
Dy stacione të ushqimit për këtë shpend janë ngritur në Dropull dhe në Nivicë, si një mundësi shpëtimi për ekzemplarët e mbetur.
Lugina e Lumit Drino është gjithashtu zona më e madhe në Europë e skifterit kthetraverdhë, me rreth 6000 ekzemplarë në këtë territor. Specialistët thonë se territori ka qenë i mbikqyrur vazhdimisht për të mbrojtur sidomos foletë e ndërtuara mbi pemë.
Edhe lejleku e ka reduktuar praninë e tij në luginë. Çifti i vetëm i lejlekëve e kaloi stinën e nxehtë pranë Liqenit të Viroit.
Top Channel