Presidenti Ilir Meta deklaroi se Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë duhet të na shërbejë si një reflektim dhe “kambanë alarmi” për të gjithë, për më shumë përpjekje në luftën kundër këtij fenomeni.
Në kuadër të kësaj dite Meta vizitoi një fabrikë, ku janë të punësuara mbi 100 vajza të reja.
Kreu i shtetut theksoi se mbështetja e këtij sektori është zgjidhje për të luftuar varfërinë dhe për t’i larguar shqiptarët nga veset e këqija.
“Duhet të mendojmë të gjithë në këtë drejtim. Nuk mund të jetë zgjidhje as nxitja e kanabisit apo forma e “aventura” të tilla, që e dimë se sa shumë i kanë kushtuar vendit dhe familjeve shqiptare. Janë mijëra njerëz që janë nëpër burgje. As bastet nuk janë zgjidhje për të shpëtuar nga varfëria, por vetëm puna. Ne duhet ta nxisim më shumë duke motivuar dhe duke mbështetur ata investitorë të cilët e tregojnë këtë me shembuj konkretë” tha ai.
Në këtë linjë, Presidenti Meta vijoi duke theksuar se natyrisht që çdo kontribut apo bamirësi është pozitive, por rruga e sigurt dhe e qëndrueshme është rruga e integrimit në tregun e punës. Pasi “Lufta kundër varfërisë, nuk zgjidhet as me një thes me miell”, u shpreh ai.
“E ardhmja e Shqipërisë janë këto aktivitete, janë shërbimet, por në mënyrë të veçantë janë turizmi, bujqësia dhe agro-turizmi”, theksoi Presidenti i Republikës.
Top Channel