Demokratët avancuan në kërkesat e tyre ndaj numrit dy të Partisë Socialiste, Taulant Ballës, duke kërkuar që t’i hiqet imuniteti dhe të merret si i pandehur për manipulimin e provave që implikojnë në trafikun e drogës vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa.

Për të njëtin rast, lideri i opozitës, Lulzim Basha kërkoi arrestimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu dhe vartësit të tij në Policinë e Fierit.

“U bëj thirrje burrave dhe grave me kurajë në Prokurori, që në zbatim të ligjit dhe në kundërshtim të urdhrave kriminalë e të paligjshëm, të nxjerrin menjëherë fletë-arrestet për Ardi Veliun dhe Drejtorin e Policisë së Fierit, të nisin menjëherë pa humbur kohë procedurën e heqjes së imunitetit dhe marrjes së pandehur të Taulant Ballës dhe të nisin hetimin për pengim të drejtësisë ndaj Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës”, tha Basha.

“Veproni se nga veprimi dhe mosveprimi juaj sot varet jo thjesht dhe vetëm zbatimi i ligjit, por stabiliteti i vendit dhe paqja sociale. Manipulimi i hetimeve dhe mos-hetimi i krimeve nga prokuroria, janë krime të rënda për të cilat dyshja Marku-Prela dhe shërbëtorët e saj në Prokurori do të mbajnë përgjegjësi”, shtoi Basha.

Thirrja e dytë e Lulzim Bashës shkoi për policët e ndershëm, ashtu si edhe për socialistët, të cileve u kërkoi të distancohen nga kryetari i tyre: “U bëj thirrje policëve të ndershëm që të mos rreshtohen përpara kryeministrit, me kokën e ulur duke gëlltitur se si ai shan, fyen, kërcënon ata mes jush që denoncojnë krimin në qeveri. U bëj thirrje edhe socialistëve të ndershëm që të distancohen nga regjimi kriminal i Edi Ramës. Për të shpëtuar partinë tuaj, para se kjo parti të shkatërrohet nën sundimin e krimit”.

Në fund, kryetari demokrat kishte një parashikim edhe për qëndrimin e Edi Ramës në pushtet: “Pushteti i Edi Ramës ka marrë fund, rrëzimin e këtij pushteti nuk e ndal më asgjë. Fitorja ndaj krimit dhe pushtetit mafioz të Edi Ramës është e pashmangshme dhe e afërt”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA