Votimi ka nisur në shtetin gjerman të Bavarisë, ku 9.5 milionë votues do të zgjedhin një Parlament të ri rajonal, një rezultat që mund të trondisë edhe Berlinin.

Zgjedhjet në këtë shtet janë parashikuar se do të jenë problematike për qeverinë federale të Kancelares Angela Merkel. Në thuajse çdo zgjedhje, që nga Lufta e Dytë Botërore, Unioni konservator Kristian-Social, pjesë e aleancës së Merkelit, ka qenë partia më e madhe në Bavari.

Por, muajt e fundit duket se po humbet mbështetje, me “të gjelbrit” që po joshin zgjedhësit më liberalë dhe “Alternativën për Gjermaninë”, të ekstremit të djathtë, që pritet të fitojë vende.

Sondazhet kanë treguar se CSU-ja mund të humbasë shumicën absolute. Pavarësisht se ajo nuk do të humbasë shumicën që i duhet për të qeverisur shtetin, pas 61 vitesh drejtim, vetëm fakti që do të ketë nevojë për partnerë për të qeverisur do të ishte një goditje e rëndë.

Lexo edhe:
Zgjedhjet në Bavari, pritet “lëkundje” e fortë e Seehoferit

Në Berlin, CSU-ja është një nga 3 partitë e koalicionit qeveritar të Merkelit, bashkë me Unionin Kristian-Demokrat dhe Social-Demokratët e qendrës së majtë. “Të gjelbrit” parashikohet të renditen të dytët, me një mbështetje prej mbi 19 përqindësh, ndërsa Social-Demokratët mund të humbasin thuajse gjysmën e 20.6 për qind të votave që morën 5 vite më parë.

“Alternativa për Gjermaninë” pritet të marrë 10 për qind apo më shumë. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Bavari mund të kthehet në një sfidë për Kancelaren Angela Merkel. Sondazhet nuk kanë qenë aspak premtuese, e nëse ato do të rezultojnë të sakta, zgjedhjet në Bavari do të shënojnë një tjetër hap në rënien e partive kryesore dhe fragmentarizimin e panoramës politike, siç ka ndodhur edhe në demokraci të tjera perëndimore.

Për Merkelin, tashmë në mandatin e saj të katërt dhe të fundit, rezultati do të rriste presionin politik, vetëm dy javë para një tjetër votimi të rrezikshëm në shtetin qendror Hesse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA