Edi Rama iu rikthye sërish propozimit të tij për paketën ligjore antishpifje, këtë herë duke përfshirë edhe median. “Luftën” ndaj politikanëve që shpifin, por edhe medias që e ka pagëzuar me emrin “kazan”, kryeministri po e teston fillimisht në rrjetet sociale.
“Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë. Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Çdo shpifje në gjyq!”, shkroi Rama.
Edhe pse nuk ka kërkuar ndonjëherë dënimin e tyre në gjykatë, edhe Lulzim Basha jo pak herë e ka bërë median palë me kryeministrin
“Kam një mesazh të qartë për Edi Ramën dhe veglat e tij qorre në shtet, media dhe kudo: as nuk shantazhohemi dhe as nuk impresionohemi nga makinacionet politike të shtetit privat të Edi Ramës”, u shpreh kreu i opozitës.
Për nismën e kryeministrit, nga radhët e opozitës me zë e figurë, projektin e ka kundërshtuar vetëm LSI-ja. Për nismën që nuk bëri dot realitet në 2015-ën, pas presionit të ndërkombëtarëve se cënonte lirinë e medias, Edi Rama po synon të bëjë realitet përmes një ligji të posaçëm. Burime nga mazhoranca konfirmojnë për Top Channel se ndërhyrja nuk do bëhet në Kod, por do hartohet një ligj. Nga selia blu kjo ide shihet si ekstraligjore, për sa kohë kryeministri e sheh shpifjen si vepër penale.
Sërish në rrjetet sociale kryemisnitri shtjelloi idenë e tij, duke kujtuar se shpifja në 25 vendet e BE dënohet me burg, por në Shqipëri ai do të mjaftohet vetëm më rëndimin e gjobës ndaj kujdo që shpif. Si Rama ashtu edhe Basha, në debatin e tyre politik i kthejnë armët nga media.
I pari duke e kërcënuar me padi për shpifje, që do kenë kosto të mëdha financiare, dhe i dyti duke e goditur politikisht. Ndërkohë që nuk është media shkaku i problemeve që ka si mazhoranca ashtu edhe opozita, ashtu siç nuk e ka fajin pasqyra për defektet që ka ai që del para saj.
Top Channel