Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku ka marrë pjesë në punimet e Konventës së Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policive (IACP), të zhvilluar në Orlando.

Kryepolici Veliu është shoqëruar nga drejtori i kabinetit të tij dhe shefi i misionit “ICITAP” në Shqipëri, Steve Bennett.

Kreu i Policisë së Shtetit ka takuar Kirsten Madison, përfaqësuese e zyrës së Çështjeve ndërkombëtare për Narkotikët dhe Zbatimin e ligjit, përgjegjëse për programet e DASH mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe drogave të paligjshme, si dhe mbështetëse e zbatimit të ligjit dhe të drejtës ligjore; si dhe me Gary Barr, drejtor i “ICITAP”-it, të cilin e falënderoi për ndihmën e vazhdueshme që misioni i jep Policisë së Shtetit në trajnime, logjistikë, këshillim dhe monitorim.

Në punimet e kësaj Konvente të “IACP”-së ishte i pranishëm edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili shprehu mirënjohjen për atë që policitë bëjnë çdo ditë për të mbrojtur komunitetet.

“Duke punuar së bashku, kemi arritur një përparim të jashtëzakonshëm në luftën kundër krimit të dhunshëm”, deklaroi Trump.

Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policive është themeluar në vitin 1893 dhe ka mbi 20 mijë profesionistë nga rreth 100 vende. Delegacioni i Policisë së Shtetit mori pjesë edhe në prezantimin që bëri përfaqësuesi i “Interpol Uashingtonit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA