Lideri i opozitës nuk qëndroi as 30 minuta para prokurores Elsa Miha për akuzat që numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë ndaj tij për rastin “Xhisiela”.
Të vetmit që e shoqëruan Lulzim Bashën në Prokurorinë e Tiranës ishin truproja personale dhe shoferi i tij. Pas dëshmisë, Lulzim Basha nuk dha asnjë detaj për mediat se çfarë kishte deklaruar dhe provat që kishte depozituar, por zgjodhi t’i përcjellë një mesazh kundërshtarit politik.
“Thirrja e kryetarit të opozitës në një regjim kriminal për t’u paraqitur në Prokurori, nuk është fundi i opozitës, por fillimi i fundit të regjimit kriminal. Kam një mesazh për Edi Ramën dhe veglat e tij qorre: Partia Demokratike, dhe shqiptarët e vendosur për të larguar krimin nga politika, as nuk trembemi, as nuk shantazhohemi dhe as nuk impresionohemi nga makinacionet politike të shtetit privat të Edi Ramës, por jemi të vendosur për të vazhduar deri në fund betejën tonë për çmontimin e këtij shteti privat dhe shkatërrimin e diktaturës mafioze”, u shpreh Basha.
Për rastin Xhisiela, 4 ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës dëshmoi edhe Taulant Balla, i cili deklaroi se ka depozituar prova të mjaftueshme që të akuzuarit prej tij janë fajtorë.
Kryetari i grupit socialist ka paditur liderin demokrat, tre deputetë të Partisë Demokratike, një gazetar dhe ish-oficerin Emiljano Nuhu për kallzim të rremë, fyerje dhe shpërdorim detyr. Për rastin në fjalë, Prokuroria e Tiranës pritet të thërrasë edhe kryeministrin Edi Rama, pas padisë së opozitës për kërcënim të ish-oficerit që bëri publike dosjen.
Top Channel