Zgjedhjet e kësaj fundjave në Bavari kanë hedhur prej thuajse një viti një hije të rëndë mbi politikën gjermane, e rezultati ndoshta mund të shkaktojë më shumë turbulenca për qeverinë federale të Kancelares Angela Merkel.

Sondazhet tregojnë se partia bavareze e qendrës së djathtë, Unioni Kristian-Social (CSU), që ka drejtuar rajonin për plot 61 vite, po i drejtohet performancës më të dobët që prej viteve ’50, këtë të dielë. Ajo duket se po humbet votues nga e djathta dhe nga e majta, pavarësisht prosperitetit për t’u pasur zili dhe papunësisë që luhatet në nivelet më të ulëta ndonjëherë, prej 2.8 për qind.

CSU-ja, një parti kryesisht social-konservatore që ka mbajtur një linjë të ashpër ndaj emigracionit, konsiderohet unike për Bavarinë dhe po ashtu simotra e rëndësishme, por shpesh e vështirë, e Unionit Kristian-Demokratik të Merkelit. Dy partitë qeverisin Gjermaninë në një koalicion të rrezikshëm me Social-Demokratët e qendrës së majtë.

Megjithëse CSU-ja nuk ka gjasa që ta humbasë tërësisht pushtetin në Bavari, një rezultat i tillë – siç janë duke parashikuar sondazhet, – do të ishte gjithsesi poshtërues. Spekulimet janë shtuar se, udhëheqësi i partisë në këtë shtet, Horst Seehofer, njëherazi ministër i Brendshëm i Gjermanisë, mund të rrëzohet.

“CSU-ja e ka humbur fuqinë e saj bashkuese në Bavari. Dikur mundej të fitonte vota, që nga e djathta e deri te qendra e majtë”, thotë Manfred Guellner, kreu i agjencisë “Forsa” të sondazheve. “Tashmë, për shkak të kursit të saj konfrontues me simotrën e saj, me Kancelaren, ajo është larguar nga qendra liberale”.

Për dekada, CSU-ja ka tërhequr vota të të gjithë spektrit, duke qëndruar si një kombinim mes modernes dhe tradicionales, siç tregohet edhe nga slogani “Laptopë dhe Lederhosen” (kjo e fundit veshja tradicionale e bavarezëve). Slogan që përdoret ende për ruajtjen e një shumice absolute në legjislativin shtetëror, e që lëvdohet për rritjen e peshës së saj në politikën kombëtare.

Kohët e fundit, kjo traditë ka qenë e dukshme kryesisht në betejat mbi emigracionin mes Seehoferit dhe Merkelit. Seehofer iu bashkua kabinetit të Kancelares në muajin mars, pasi dha dorëheqjen nga posti i guvernatorit të Bavarisë, duke ia pasuar këtë rivalit të tij më të ri në moshë, Markus Soeder, pas një beteje afatgjatë pushteti brenda CSU-së.

“Mund të them vetëm se votuesit nuk e vlerësojnë, dhe këtë e tregojnë edhe sondazhet, faktin kur ne zihemi me njëri-tjetrin dhe ata nuk arrijnë ta kuptojnë arsyen përse zihemi”, tha Merkel gjatë fundjavës së kaluar, kur u përpoq të përmblidhte vitin e parë të qeverisë federale.

Në zgjedhjet e fundit kombëtare, të trija partitë qeverisëse humbën goxha mbështetje, ndërsa partia e ekstremit të djathtë, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) hyri për herë të parë në Bundestag.

CSU-ja, e cila fokusin kryesor ka zgjedhjet në Bavari, është bazuar më së shumti në bisedimet e ashpra mbi emigracionin, gjë që ka përçarë Merkelin dhe Seehoferin që prej vitit 2015, kur ky i fundit sulmoi vendimin e saj për të lënë hapur kufijtë e Gjermanisë, ndërkohë që refugjatë dhe emigrantë të shumtë vinin përmes Ballkanit nga vendet e Lindjes së Mesme apo Afrikës së Veriut.

Seehofer shkaktoi gjithashtu edhe krizën më serioze deri më sot në qeverinë e mandatit të katërt të Merkelit, kur dyshja u përplas në qershor nëse duheshin kthyer mbrapsht apo jo një numër i vogël azilkërkuesish të gjendur në kufirin gjermano-austriak. Kjo mosmarrëveshje për pak sa nuk kërcënoi të rrëzonte administratën dhe t’i jepte fund aleancës së partisë së tij me atë të Merkelit.

Ai luajti gjithashtu një rol kryesor në krizën e dytë të muajit të kaluar, kur mbështeti fuqishëm kreun e Agjencisë së brendshme të Kundërzbulimit të Gjermanisë, përballë kërkesave për shkarkimin e tij, si pasojë e neglizhencës së dhunës kundër emigrantëve të ekstremistëve të djathtë. Qeverisë së koalicionit iu deshën dy përpjekje për të arritur një kompromis.

Por, taktikat e Seehoferit kanë nisur të bezdisin edhe vet konservatorët që mbështesnin pozicionet e tij.

Për këtë arsye, sondazhet flasin se mbështetja e CSU-së mund të bjerë deri në 33 për qind, krahasuar me 47.7 për qind në vitin 2013, në zgjedhjet që u mbajtën në kulmin e popullaritetit të Merkelit dhe kur Seehofer rifitoi shumicën absolute që kishte humbur 5 vite më herët. “Alternativa për Gjermaninë” nuk kishte kandidat asokohe, por pritet të fitojë mbi 10 për qind të votave këtë herë. Ndërkohë, “Të gjelbrit” renditen të dytët, me 18 për qind mbështetjeje, ndërsa socialdemokratët – të cilët vuajnë shumë në sondazhet kombëtare, – mund të humbasin gati gjysmën e 20.6 përqindëshit të regjistruar para 5 vitesh.

FOTO GALERI
4/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA