Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj nuk pranoi të komentonte paraditen e së enjtes çështjen “Babale”, duke thënë para gazetarëve se kjo çështje i takon tashmë drejtësisë.
“Nuk do të preferoja të bëja një koment për këtë çështje, se boll kam bërë komente për këtë, edhe për një arsye fare të thjeshtë që kjo është një çështje që i takon drejtësisë. Unë besoj se kam kulturën e nevojshme, politike, institucionale dhe ligjore që të respektoj në çdo rast autoritetet e drejtësisë dhe vendimmarrjet e tyre. Për sa i përket çështjes që është duke u përfolur kaq gjatë dhe që është bërë temë dite, është një çështje që besoj që është në një hetim të plotë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. U takon atyre dhe më pas gjykatës që të japin verdiktin rreth kësaj çështjeje”, tha Xhafaj.
“Unë jam Ministër i Brendshëm, jam në këtë detyrë vetëm me një qëllim, t’u shërbej qytetarëve të vendit tim. Jam i fokusuar në përgjegjësitë e mia, jam i fokusuar në atë që është tejet e rëndësishme, në luftën kundër krimit të organizuar në veçanti. Dhe në këtë proces kam përzgjedhur, besoj instrumentet e nevojshëm, një ndër të cilët është edhe operacioni “Forca e Ligjit” dhe Task Forca. Besoj se kam përzgjedhur edhe partnerët e duhur, ndër të cilët padyshim edhe shumë të rëndësishëm për ne në këtë partneritet janë partnerët gjerman me të cilët jemi sot këtu”, shtoi ministri.
Top Channel