Shqipëria ndëshkohet në fund edhe përballë Spanjës, duke u mundur me rezultatin minimal 0-1 në “Selman Stërmasi” nga iberikët e Spanjës. Një ndeshje e mirë e të besuarve të Bushit, por që nuk mundën të ruajnë për pak barazimin, që do të kishte sigurisht vlera morali te kuqezinjtë, duke kërkuar të nisen një mbyllje të mirë të këtyre eliminatoreve për Europianin e 21-vjeçarëve.
Spanja, e kualifikuar, kërkonte thjesht të bënte 8 fitore në 9 ndeshje, por skuadra Shpresa, ashtu siç kishte paralajmëruar Bushi, bëri çdo gjë për të ndalur këtë ecuri të jashtëzakonshme të iberikëve, me kuqezinjtë që u shfaqën shumë solidë në mbrojtje, duke lejuar pak hapësira mbrapa e duke u përpjekur të shfrytëzonin në maksimum kundërsulmin, si në rastin e Vrionit që u ndal në çastet e fundit nga Mere.
Gjithsesi për të arritur rezultatin nevojiten sakrifica nga të gjithë lojtarët, si në rastin e Kastratit që bëri mrekullinë në të 15-ën, ndërsa në të 22-tën ishte Fornals që nuk pati shënjestrën e duhur. Vrioni në krahun tjetër mbetej gjithmonë një rrezik serioz, por goditja e tij në të 29-ën nuk ishte e koordinuar siç duhet.
Një minutë më pas provoi dhe Zubel, por gjithçka shkoi mbi kuadrat, ndërsa në të 40-ën Kastratit i erdhi në ndihmë shtylla. Pjesa e dyti nisi më mundësinë më të mirë në këtë ndeshje për Shqipërinë, me Seferin që hapi një top të artë për Vrionin, por portieri spanjoll tregoi se ishte gati.
Gjithsesi Shqipëria arrinte të mbante larg portës Spanjën, që provoi me goditje nga distanca, ndërsa në të 74-ën na erdhi sërish në ndihmë shtylla, pas goditjes së dënimit të Solerit. Gjithcka në barazpeshë deri në të 83-ën, kur Rafel Mir na ndëshkoi, pas një pakujdesie në mbrojtje.
Ndeshja e zakonshme e mirë, por që u mbyll në fund me një tjetër humbje, duke treguar se dhe Shpresa e ka disi sindromën e pësimit të golave në minutat e fundit, kur rezultati duket se është i sigurt.
Top Channel