Rafael Nadal është një kampion i vërtetë, si në fushën e lojës, ashtu dhe jashtë saj. Tenisti spanjoll, numri 1 i renditjes “ATP”, e tregoi këtë edhe në rastin e përmbytjeve në Majorka, në ishujt Baleare, ku zona më e prekur rezultoi Sant Llorenç des Cardassar, ku humbën jetën edhe dy turistë anglezë.

Mbrojtja Civile Spanjolle, pasi ndihmoi të pastrehët e parë nga kjo përmbytje, kërkoi ndihmën edhe të personave civilë, e Rafael Nadal ishte një ndër personat që dolën vullnetarë. 32-vjeçari, që rezidencën e tij e ka në Manacor, u trondit nga ajo që ndodhi në vendlindjen e tij dhe hyri menjëherë në veprim, duke marrë pjesë në procesin e pastrimit të vendit nga balta.

Nadal, nëpërmjet një postimi në “Twitter” deklaroi hapjen e dyerve të akademisë së tij të tenisit për të strehuar personat e prekur nga përmbytjet.

“Është një ditë e trishtuar për Majorkën. Ngushëllimet e mia për familjarët e viktimave nga përmbytjet e Sant Llorenç. Duke parë situatën e krijuar, vendosëm të hapim dyert e Akademisë Rafa Nadal për të gjithë personat që kanë mbetur të pastrehë dhe që kanë nevojë për një vend ku të qëndrojnë”, shkruante Nadal në rrjetin social.

Bilanci i përmbytjeve në Majorka flet për 10 persona të vdekur, dhjetëra të zhdukur dhe qindra të pastrehë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA