“Babalja” përplasi sërish opozitën dhe mazhorancën në distancë. Nga foltorja e Kuvendit, Taulant Balla zbuloi personin që sipas tij ka realizuar kamerën e fshehtë me Fredi Alizotin, i akuzuar se ka imituar zërin e Agron Xhafës, si dhe vendin ku është realizuar intervista.
“Tashmë në media është konfirmuar që është bërë fiks në oborrin e SHQUP-it, e që Partia Demokratike ende nuk thotë kush është gazetari i radhës te videoja e radhës. Se unë nuk di që drejtori i Policisë Bashkiake të Lulit, a të Inspektoriatit të Ndërtimit të Lulit të ketë punuar ndonjë ditë gazetar”, tha Balla në Kuvend.
Numri dy i Partisë Socialiste foli për 3 aktorë, për atë që ai e etiketoi si “Babale 2”, ndërsa zbuloi edhe një detaj për gazetarin Olldashi, i cili intervistoi Albert Veliun.
“Kemi 3 aktorë të përfshirë në Babale 1, Fredi Alizoti, Albert Veliu dhe deputeti i PD, Ervin Salianji, i cili ka qenë edhe personi që ka vënë në shërbim edhe gazetarin Jetmir Olldashi dhe që, po aq e rëndë është, nga çfarë është bërë publike, që ky gazetar paska punuar apo ka qenë pjesë e infiltrimit edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror”, tha më tej Balla.
Kundërpërgjigjja nga selia blu nuk mungoi. Avokatinë e Ervin Salianjit e bëri kolegu i tij, Enkelejd Alibeaj, bashkë me juristin Gazmend Bardhi. Demokratët publikuan dy dokumente, të cilat sipas tyre vërtetojnë që hetimet për rastin “Babale” janë kryer nga Fatmir Xhafa.
“Ky është dokumenti i datës 7 qershor 2018, që provon se hetimin për këtë fakt nuk e ka bërë Prokuroria, por Policia e Shtetit. Pra, nëse kanë qenë apo jo bashkë Albert Veliu dhe Agron Xhafaj, e ka hetuar vet Fatmir Xhafaj. Ky është dokumenti i datës 15 maj 2018, që provon se mostrat e zërit të Agron Xhafës janë marrë nga eksperti vartës i Fatmir Xhafës, me pajisjet e Fatmir Xhafës”, tha Gazmend Bardhi.
Demokratët i kërkuan publikisht organit të akuzës të përgjigjet se, përse prokurorët nuk kanë verifikuar videopërgjimin e publikuar nga Ervin Salianji me Fredi Alizotin, i cili pranon se i është bërë një ofertë nga pala tjetër.
“Kush është pala tjetër? Çfarë oferte ka marrë? Kush e ka bërë ofertën? Të gjitha këto duhet të ishin hetuar nga Prokuroria”, tha Bardhi.
“Por kjo nuk ka ndodhur, sepse Prokuroria e Krimeve të Rënda është shndërruar në një celulë kriminale që mbron krimin e korrupsionin dhe që prish hetimet për të mbrojtur kriminelët”, tha Alibeaj.
Në debatin mes palëve u përfshi edhe ministri i Brendshëm, i akuzuar nga demokratët se po shpërdoron detyrën për të mbrojtur vëllain trafikant.
“Pala tjetër ka zgjedhur instrumente, sipas meje të gabuar për ta baltosur gjithë këtë punë, e për fat të keq ka zgjedhur edhe partnerë të gabuar, kanë zgjedhur llumin e këtij vendi”, tha ministri Xhafaj.
Top Channel