Ligji për peshkimin neni 128, për zënien e peshkut me eksplozivë, parashikon dënim me gjobë nga 1 deri në 5 milion lekë. Ndërkohë ky lloj peshkimi dënohet si armëmbajtje pa leje nga kodi penal, që parashikon dënim deri në 7 vite burg.

Ndërsa Top Story sjell ekskluzivisht video dhe pamje, teksa gjuetia e peshkut ndodh çdo ditë, në çdo kohë me dinamit dhe lëndë plasëse.

“Nuk mund të them që janë njerëz të painformuar tek kjo pjesë, por duan ta bëjnë. Për sa kohë nuk e ndalon kush, do të vazhdojë kjo situatë”, thotë për Top Story Blendi Laçi, Lëvizja “Mbrojtësit e Detit”.

Pamje të tilla janë xhiruar në Kepin e Redonit, në bregdetin e Tales në rrethin e Lezhës, në grykëderdhjen e Drinit, apo edhe në zona të thella ku këta shkelës shkojnë me mjete lundruese, ku vendet më të preferuara për ta, janë aty ku ka anije të mbytura.

Sapo deti qetësohet nga shpërthimi i dinamitit, gjuetarët notojnë drejtë atij vendi, për të mbledhur peshkun e vrarë.

Denis Ruso, Instruktor i Zhytjes tregon për Top Story kordinatat ku hidhen lëndët plasëse për peshkim.

“Më tepër tek objektet e mbytura, sepse ne i njohim me koordinata dhe i kemi vizituar disa herë. Momentin që sapo kemi mbërritur atje, një barkë e vogël, dhe disa persona të paidentifikuar, janë afruar tek zona ku ne ishim dhe u dëgjonin këto zhurmat e frikshme, aty kemi kuptuar që kemi të bëjmë me një lëndë plasëse. Sepse kjo vala goditëse vjen si diçka e mbinatyrshme. Këto koordinata kanë qenë habitate për peshqit, aty u riprodhonte peshku, dhe pikërisht në ato zona ëhstë hedhur lëndë plasëse. Ne i shohim. Dikur thonin që përdornin shishe sukoje, kurse tani përdorin bidona me lëndë plasëse nga 10 litra”, tha Denis Ruso, Instruktor i Zhytjes.

Një gjueti e tillë afër bregut është një dëm i madh për ekosistemin. Pasojat e shpërthmit të dinamitit janë katastrofale. Kushdo që shkon për zhytje mund të bëhet dëshmitar i pamjeve të transmetuara nga Top Story, ku fundi i detit i ngjan një fushëbeteje të mbushur me të vrarë, që në këtë rast janë gjallesat nënujore.Më shumë se gjysma e peshkut të vrarë me dinamit, humbet në det, pasi bie në thellësi aty ku njerëzit nuk zhyten dot për ta marrë. Në vende të tjera, nuk duken peshqit e vrarë, por krateret e shpërthimeve që e kanë kthyer fundin e detit si një zonë të bombarduar. Një vend i djegur ku as algat nuk rriten më.

“Është si të thuash të hedhësh një bombë në kopshtet e Tiranës dhe të vrasësh gjithë fëmijët aty. Dhe nuk mund të shpresosh më që pas 20 vitesh, të kesh një popullat në Tiranë sepse ke vrarë vezët, ke shkatërruar vezët”, thotë Xhemal Mato, eksplorues detar.

Top Channel