Salianji nën hetim, Bylykbashi: Donika Prela në krye të “task forcës” që mbron Agron Xhafajn

10/10/2018 20:59

Oerd Bylkbashi ka reaguar ndaj Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas konfirmimit zyrtar nga ana e saj për vënien nën hetim për kallëzim të rremë të Ervin Salianji. Bylykbashi akuzon drejtuesen e institucionit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, se ka marre detyrën të kryesoje “Task Forcën” për të mbrojtur Agron Xhafajn.

“Prokurorja Donika Prela konfirmoi sot se nuk është në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por ka marrë detyrën të kryesoje Task Forcën e ngritur nga Rama-Xhafaj për të mbrojtur Agron Xhafajn. Kur duhet të thërriste me urgjencë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Veliun dhe Ballën për t’i marrë në pyetje, bën avokaten e tyre. Dëshmia e porositur nga grupi i posaçëm i Kryeministrit vlen për Donika Prelën, ndërsa denoncimi i grupit nga i njëjti person me zë dhe figurë nuk vlen”, shkruan Bylykbashi.

Në postimin e tij në Facebook, Bylykbashi shton se pas 18 dhjetorit 2017, kur Prokurorja Provizore Arta Marku u zgjodh në një seance turpi, nuk ka më asnjë çudi pse prokuroria sot i shërben pushtetit deri dhe me mbulim te krimit!

Top Channel