Shiringat e heroinës, kapica e jashtëqitjeve mes makinave të parkuara dhe një tapet persian i rremë i hedhur në qoshe.
Është një skenë mbetjesh që të sjell në mendje vendet në zhvillim, por po flasim për San Fransiskon, kryeqytetin amerikan të teknologjisë, ku Hyde Street pret një treg të hapur të narkotikëve gjatë ditës dhe gjatë natës është i zënë nga të droguarit e plasur në trotuar.
Ka edhe rrugë të tjera si kjo, por kjo është lagjja më e ndotur në qytet.
Vetëm 15 minuta larg në këmbë nga zyrat e Twitter dhe Uber, dy kompani që kanë bërë që çmimet e shtëpive në San Fransisko të jenë mbi 1 milion dollarë.
Bashkimi i krimit të rrugës me teknologjinë që ndryshon botën dhe i banesave luksoze me të pastrehët bën që rezidentët e qytetit të mos ndihen mirë. Për shumë persona që jetojnë në San Fransisko është e vështirë që të pajtohen me politikat liberale të qytetit dhe me mjerimin që i rrethon.
Sipas statistikave, Hyde Street ka pasur 2227 ankesa për pastërtinë e trotuareve dhe rrugëve në 10 vitet e fundit, më shumë se çdo rrugë tjetër.
Duke ecur në rrugë shihet dëshpërimi i të sëmurit mendor, i të varurit nga droga dhe të pastrehët. Banorët thonë se nuk mjafton një “fshesë” për të pastruar qytetin.
Mbetjet janë bërë një problem i madh në San Fransisko, aq sa në shtator qyteti vendosi një grup të posaçëm për t’i hequr nga trotuaret. Ambientet përballë zyrave mbajnë era jashtëqitje.
Qyteti ka instaluar pesë banjo publike për qindra të pastrehë në Tenderloin, por kjo gjë nuk i ka ndaluar ata që të urinojnë dhe të jashtëqesin në rrugë.
“Ka shumë njerëz që nuk kanë shtëpi”, thonë banorët e zonës.
Në pesë vitet e fundit, numri i personave të pastrehë në San Fransisko nuk ka lëvizur, rreth 4400, dhe trotuaret e Tenderloinit duken si kampe refugjatësh.
Qyteti ka zëvendësuar më shumë se 300 shtylla elektrike të gërryera nga urina njerëzore në tre vitet e fundit. Zëvendësimi i tyre u bë urgjent kur një nga shtyllat ra në vitin 2015, duke shkatërruar një makinë.
Rrezik përbëjnë edhe mijëra shiringat e heroinës të hedhura në tokë nga përdoruesit.
Vitin e kaluar, Departamenti i Punëve Publike hoqi nga rrugët plot 100 000 shiringa, ndërsa Departamenti i Shëndetit Publik ka një shifër më të lartë: ka hequr plot 164 264 shiringa vetëm në muajin gusht.
Qiraja e apartamenteve në Hyde Street është rreth 1500 dollarë në muaj, shumë lirë në një qytet ku qiratë rrotullohen te 4500 dollarët.
Të droguarit e pastrehë mblidhen në trotuar dhe natën shtrihen aty.
“Është si toka e të vdekurve të gjallë”, thotë Adam Leising, një banor i Hyde Street.
“Ne jemi vendi më i avancuar në botë dhe shiko se si jetojnë njerëzit këtu”, shton Leising, për New York Times.
Thomas Fuller, New York Times
Top Channel