Një operacion i suksesshëm kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike është realizuar nga forcat e “Guardia di Finanza”-s së Romës, që kanë mundur të demaskojnë një çift në dukje të padyshimtë shqiptarësh të sapomartuar, që transportonin një sasi të konsiderueshme kokaine.

Si pasojë e kontrolleve të dendura në Aeroportin “Fiumicino” të kryeqytetit italian, janë identifikuar dy shtetasit shqiptarë të sapomartuar, të cilët vinin nga Sao Paulo i Brazilit, sigurisht tranzit për të shkuar në destinacionin final, Aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë. Ata ktheheshin kështu nga “muaji i mjaltit” i kaluar në Brazil.

Agjentët e Antidrogës kanë hasur në rezistencën e gruas, e cila është dashur të justifikohet me shtatzëninë e saj për t’iu shmangur kontrolleve nga ana e tyre, pasi dyshuan nga kujdesi ekstrem i shfaqur prej bashkëshortëve dhe e konsideruan të nevojshëm kontrollin e bagazheve.

Gjatë kontrolleve të agjentëve, çifti i sapomartuar është përpjekur të realizojë edhe aktin e fundit për t’i shpëtuar kapjes: gruaja nxori ekografinë që tregonte shtatzëninë e saj, duke pretenduar se ishte një shtatzëni në rrezik, vetëm e vetëm që të fitonte “mëshirën” e agjentëve.

Por, në brendësi të dy valixheve me fund të dyfishtë janë gjetur dhe sekuestruar 5 kg kokainë e pastër. Sasia e sekuestruar e lëndës narkotike, duke pasur parasysh edhe pastërtinë e saj, mund t’iu lejonte organizatave kriminale të hidhnin në treg deri në 100 mijë doza të pluhurit të bardhë, duke iu garantuar kështu një fitim prej 2 milionë eurosh.

Top Channel