Franca ka nisur një hetim për zhdukjen e Meng Hongwei, shefit kinez të Agjencisë Ndërkombëtare të Policisë, “INTERPOL”.
Familja e tij nuk ka marrë asnjë lajm, që kur ai doli nga zyrat qendrore të “Interpol”-it në qytetin francez të Lionit, për t’u nisur për një udhëtim në Kinë, një javë më parë. “Ai nuk është zhdukur në Francë”, tha një burim i afërt me hetimin.
64-vjeçari Meng është një zyrtar i lartë i Partisë Komuniste të Kinës. Ai u zgjodh president i “Interpol”-it dy vite më parë.
Hetimi nisi pasi bashkëshortja e Meng shkoi në polici për të raportuar të zhdukur të shoqin. Në një deklaratë, “Interpol” njoftoi se ishte në dijeni të raporteve për zhdukjen e supozuar të Mengut.
“Kjo është çështje e autoriteteve në Francë dhe në Kinë”, tha agjencia, duke shtuar se Sekretari i Përgjithshëm, jo presidenti, ishte tani në menaxhimin e organizatës me 192 vende anëtare.
Si president, Meng udhëheq Komitetin Ekzekutiv, që drejton “Interpol”-in. Mandati i tij zgjat deri në vitin 2020.
Para se të vihej në krye të “Interpol”-it, Meng Hongwei ishte zëvendësministër i ngarkuar me Sigurinë Publike në Kinë. Pas zgjedhjes së tij në vitin 2016, grupet e të drejtave të njeriut shprehën shqetësim se lëvizja mund të ndihmonte Kinën në përndjekjen e disidentëve politikë të arratisur nga vendi.
Por, Meng tha asokohe se ai ishte i gatshëm të bënte gjithçka që mundej, për kauzën e policimit në botë. Meng ka një eksperiencë 40-vjeçare në drejtësinë kriminale dhe policimin në Kinë, veçanërisht në fushën e drogërave, antiterrorizmit dhe kontrollit të kufijve.
“Interpol” ndërkohë mund të lëshojë një “alarm të kuq”, një alarm ndërkombëtar për një person të kërkuar, por nuk ka fuqinë të dërgojë oficerët e tij në vende të tjera, për të arrestuar individë, apo as të lëshojë urdhërarreste.
Top Channel