Vritet hajduti shqiptar, nën hetim karabinierët e roja i sigurisë. Salvini: Meritojnë shpërblim!

05/10/2018 19:54

Një prokurore italiane ka vendosur nën hetim 3 persona, pas vdekjes së shtetasit shqiptar Eduart Koci, i vrarë me një plumb pas koke.

Bëhet fjalë për dy karabinierë dhe një roje sigurie, të cilët janë përpjekur të ndalojnë një automjet tip “Audi A6 Avant” me 4 persona në të, të cilët mesnatën mes të mërkurës dhe së enjtes janë larguar me shpejtësi nga një dyqan duhani në rrugën “Messina” në Perugia.

Shkelja e pretenduar ka të bëjë me vrasje të thjeshtë. Sipas hetuesve, duke qëlluar, efektivët kanë tejkaluar kufijtë e lejueshëm, edhe pse mund të justifikohen për tërheqjen e këmbëzës. Përmes kësaj, hetuesit përjashtojnë akuzën për “vrasje të qëllimshme të një të huaji”.

Në këtë fazë të hetimit vlen të kuptohet se, nga cila armë është shkrepur plumbi që përfundoi pas shpinës së shqiptarit të ulur në pjesën e pasme të automjetit, e ndoshta mund të jetë i njëjti plumb që bëri të shkërmoqej edhe xhami i pasmë i Audit, i gjetur pak orë më vonë rreth 1 km distancë, në rrugën “Radiosa” të Perugias.

Viktima, që ishte braktisur nga bashkëpunëtorët e tij, së bashku me sendet e vjedhura, edhe kur u gjet pak orë më vonë mbante ende veshur dorezat dhe kapuçin e përdorur për fshehjen e identitetit nga kamerat e sigurisë të objektit tregtar. Tashmë pritet autopsia mjekoligjore për të saktësuar hetimet.

Ndërkohë, vijojnë kërkimet për 3 hajdutët në arrati, të cilët nuk e patën të vështirë të braktisnin në makinë mikun e tyre, i cili sipas raporteve, ishte ende duke dhënë shpirt. Por, ajo që vlen të theksohet më shumë është ndërhyrja e ministrit të Brendshëm të Italisë, Matteo Salvini, i cili përmes rrjeteve sociale është solidarizuar me të dyshuarit për vrasje.

Carabinieri e Guardia Giurata, che hanno rischiato la vita, hanno solo fatto il loro dovere: non meritano un processo, semmai un premio.

Posted by Matteo Salvini on Friday, October 5, 2018

“Karabinierët dhe roja e sigurisë, që rrezikuan jetën e tyre, kanë bërë thjesht detyrën e tyre. Nuk meritojnë të hetohen, përkundrazi, duhet të shpërblehen”, shkruan ai.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA