Veliaj: “Maratona e bën Shqipërinë më ndërkombëtare; simbolikë e progresit që duhet të bëjmë çdo ditë në Tiranë”.
Maratona e Tiranës është gati të nisë rrugëtimin e saj për të tretin vit radhazi. Më shumë se 5 mijë vrapues, një pjesë e të cilëve fëmijë, do t’i japin jetë eventit më të madh sportiv që zhvillohet në vendin tonë, që vjen si garë e certifikuar nga institucionet ndërkombëtare të atletikës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadorja e Greqisë në vendin tonë, Eleni Sourani dhe organizatori i Maratonës së Athinës, Spiro Zakaris, në një konferencë të përbashkët për mediat prezantuan detajet e festës sportive, që do të nisë të dielën në orën 9.00.
Kryebashkiaku Veliaj falenderoi miqtë grekë për dhuratën simbolike që i sollën Maratonës së Tiranës, kurorat e ullirit që vijnë nga zona e Maratonës në periferi të Athinës. Ai theksoi se dhurata që i bëhet Maratonës së Tiranës ka një vlerë simbolike, sidomos për marrëdhëniet njerëzore mes qytetarëve të të dyja vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë. “Është shumë e rëndësishme që shteti grek dhe shteti shqiptar kanë një raport të shkëlqyer mes tyre, po ashtu edhe që kryetari i Bashkisë së Athinës dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës kanë një raport të shkëlqyer, por mbi të gjitha janë të rëndësishme raportet mes njerëzve. Qeveritë, kryetarët, ambasadorët, ndërrohen, por njerëzit mbeten. Ky në fakt është një investim i marrëdhënieve mes njerëzve, jo se ne nuk kishim degë ulliri, apo dikë që të bënte kurorat, por është shkëmbim njerëzor përtej kombësive. Shpirti i maratonës, i garës, i skuadrës, i atyre që përpiqen, është fantastik”, shtoi Veliaj.
Ai theksoi faktin që maratona përveçse do jetë një festë sportive, është edhe një mundësi shumë e mirë për promovimin e qytetit të Tiranës. “Kemi shumë garues, nga Shqipëria dhe Greqia. Në Bulevard pashë flamujt nga Pakistani, Zelanda e Re, për herë të parë në Tiranë pashë edhe një flamur nga Hondurasi. Fakti që Maratonës iu bashkuan 5 mijë vrapues nga 40 vende të botës, është një mënyrë për ta bërë Shqipërinë më ndërkombëtare, më metropolitane, më mikpritëse për kombësi që vijnë nga distanca shumë të largëta, për të treguar shpirtin e vërtetë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit”, u shpreh Veliaj.
Gjithashtu, ai veçoi faktin që kjo ngjarje sportive është edhe një shans që i vjen Tiranës për të zhvilluar sado pak edhe ekononominë e qytetit. “Vijnë mijëra njerëz që do të konsumojnë vakte, do të qëndrojnë nëpër hotele; ajo që kemi mësuar nga Athina është se jo vetëm duhet ta dish historinë, por edhe ta marketosh atë. Me qenë krenar është diçka shumë e mirë, por nuk të sjell ndonjë dobi të madhe; ama, me qenë krenar dhe me e tregu krenarinë duke ftuar njerëz për t’i rrëfyer historinë tënde, peizazhet, kulinarinë, për të kaluar disa netë në Tiranë, sjell disa përfitime që i mbeten qytetit”, tha kryetari i bashkisë.
Veliaj tha se Maratona e Tiranës këtë herë do dalë përtej pjesës urbane, duke kaluar edhe në pjesën panoramike të Liqenit Artificial të Tiranës, ku falë përkushtimit dhe punës intensive, tashmë çdo gjë është kuruar për të qenë gati. Ai shprehu një falënderim të veçantë edhe për të gjithë donatorët që kanë kontribuar që Tirana të jetë gati të presë këtë ngjarje të madhe sportive. “Maratona e vërtetë në fakt, është maratona e progresit, e miqësisë që kemi mes vendeve, e paqes që duam të kemi në rajon. Sot jemi në një moment shumë të rëndësishëm për të dakordësuar njëherë e mirë shumë çështje me Greqinë, me fqinjët tanë. Sot kemi një mundësi fantastike për të filluar një tjetër maratonë të integrimit në Bashkimin Europian dhe unë besoj fort që simbolika e garës sportive të na frymëzojë për ato që janë garat jetike për kombin tonë. Jetike për kombin tonë është fqinjësia e mirë, anëtarësimi në Bashkimin Europian, progresi që duhet të bëjmë çdo ditë në Tiranë. E mezi pres që të dalim të gjithë faqebardhë dhe të kemi një garë të shkëlqyer të dielën”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Për herë të parë, kurora e ullirit për fituesit do të vijë nga vendi i origjinës së Maratonës, 40 km nga Athina. Teksa vlerësoi Tiranën për organizimin e maratonës, Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Sourani, tregoi dega e ullirit simbolizon edhe miqësinë mes dy vendeve. “Është një gjë shumë simbolike, një simbol shumë i mirë për sportin. Më vjen shumë mirë që Tirana, qyteti ku unë jetoj e jam qytetare prej këto dy vitesh, ka një maratonë. Gjithashtu, dua t’u uroj suksese të gjithë pjesëmarrësve sepse në maratonë nuk ka rëndësi kush do fitojë, por kush arrin ta përfundojë garën”, tha Sourani.
Spiro Zakaris, përfaqësues i Maratonës së Athinës dhe president nderi i shoqatave të qytetit për paqen, vlerësoi organizimin e maratonës edhe në Tiranë. “Ju falenderoj për ftesën për të qenë këtu në Tiranë, i cili është kryeqyteti më i afërt i ngjashëm me maratonën e Athinës. E konsideroj një nder të madh sepse transmetoj këtu në Tiranë mesazhin që jep rrugëtimi i maratonës. Ashtu siç besoj e dini, i vetmi sport olimpik që ka emrin e një vendi është maratona. Është e vetmja garë që ka një prejardhje historike. Duke lidhur historinë arkeologjike kam sjellë kurorat me degë ulliri nga vendi i lashtë. Gjithashtu, kam sjellë edhe medaljen që japim në maratonën origjinale të Athinës, që bashkëpunimi ynë të zgjatë sa më shumë”, tha Zakaris.
Për arsye të mbarëvajtjes së Maratonës së Tiranës, ditën e dielë do të kryhet devijimi i qarkullimit të automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Rrugën e Kavajës dhe atyre që të shpien në Parkun e Liqenit Artificial.
Top Channel