Ndërgjegjësimi se gratë, që përbejnë më shumë se gjysmën e komuniteteve kanë nevojë të mbrohen gjatë luftës dhe se agresorët duhen ndëshkuar për veprimet e tyre, ishte mesazhi që Komiteti i Nobelit në Oslo kërkoi t’i dërgonte botës me çmimin e sivjetshëm të paqes.
Vlerësimi i shumëlakmuar i shkoi mjekut gjinekolog kongolez Denis Mukwege dhe aktivistes Nadia Murad, të nderuar kësisoj falë përpjekjeve të tyre për t’i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si armë lufte gjatë një konflikti të armatosur.
Murad ishte nga prej gati 3.000 vajzave dhe grave Yazidi që ishin viktima të përdhunimit dhe abuzimeve të tjera nga luftetarët e ISIS-it, kur këta të fundit pushtuan disa prej qyteteve kyçe të vendit në 2014-tën.
Abuzimet ishin sistematike dhe pjesë e një strategjie të mirëfilltë, tha komitetit i Nobel-it duke shtuar se ato shërbyen si armë në luftën kundër Yazidëve dhe minoriteteve të tjera fetare.
Mukwege nga ana tjetër ia kushtoi të gjithë jetën e tij mbrojtjes së viktimave të dhunës seksuale në kohë lufte.
Emrat e të nominuarve zakonisht nuk bëhen publike, por spekullimet për këtë çmim nuk kishin munguar. Kanë qenë gjithsej 331 kandidate, 216 individë dhe 115 grupe.
Procesi i përzgjedhjes është tmerrësisht i fshehtë, megjithatë “The Guardian” thoshte më herët se lista mund të përfshinte edhe figura kontroverse si Lim Jong un dhe Donald Trump, për takimin e tyre historik në Singapor këtë qershor, i cili davariti retë e luftës bërthamore.
Po sipas të përditshmes prestigjoze britanike, një tjetër emër i diskutuar mund të ketë qenë ai i Angela Merkel, e cila mirëpriti me qindra mijëra refugjatë sirianë në vend, edhe pse kjo i kushtoi rëndë dhe ia lëkundi ndjeshëm pozitat.
Top Channel