Një shtetas është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur si rrjedhojë e një atentati në zonën e ish Bllokut në kryeqytet, të dyshuar ndaj shtetasit Ervis Martini, emri i të cilit është mes të plagosurve.

Martini, bashkë me Laert Hasën kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në Spitalin e Traumës në kryeqytet, godina e të cilit është e blinduar nga forcat speciale të Policisë së Shtetit.

Prania në masë të madhe e tyre, siç duket edhe në foton e siguruar nga Top Channel, duket se lidhet me dyshimin se situata mund të përshkallëzohet më tej, duke pasur parasysh se shënjestra e atentatorëve i ka mbijetuar të shtënave.

Ndërkohë, raportohet se edhe pranë shtëpisë së Ervis Martinit, pranë Rrugës së Elbasanit, ka një prani të madhe të forcave speciale të policisë, të cilat vëzhgojnë me imtësi lëvizjet në atë zonë.

Paraprakisht mësohet se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmën mjekësore, ndërsa i vdekur ka mbetur Rigers Gaxha, i cili mendohet se punonte si truprojë i Ervis Martinit.

Top Channel