Një ngjarje e rëndë ka tronditur banorët e kryeqytetit në zonën më të populluar të saj, atë të ish-Bllokut, mbrëmjen e kësaj të enjteje, teksa një shtetas është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur.

Kështu paraprakisht raportohet se është kryer një atentat, i dyshuar ndaj shtetasit Ervis Martini, i cili ka mbetur i plagosur bashkë me shtetasin Laert Hasa.

Ndërkohë, personi që ka humbur jetën është shtetasi Rigers Gaxha, i cili nga informacionet dyshohet se punonte si truprojë i shtetasit Ervis Martini, një emër i njohur për policinë.

Të dy të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Traumës, i njohur si Spitali Ushtarak në kryeqytet dhe po marrin ndihmën mjekësore, ndërsa raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Nga një foto e mbërritur në redaksinë e Top Channel, duket se godina e Spitalit Ushtarak është blinduar nga forca të shumta të policisë, të cilat i druhen përshkallëzimit të situatës.

Të shtënat janë raportuar në një dhomë “Prive” të një restoranti në katin e dytë të një pallati shumëkatësh në zonë dhe kanë shkaktuar panik mes frekuentuesve të shumtë të jetës së orëve të vona në Tiranë.

Ndërkohë forca të shumta policie janë edhe në vendngjarje, si dhe kanë ngritur pika të shumta kontrolli, ndërsa po punohet për rrethanat dhe identifikimin e kapjen e autorëve të ngjarjes.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA