Denoncimi në polici, tërheqja e padisë, e më pas intervistat në media, përfshirë këtu edhe politikën e kanë kthyer rastin e Xhisiela Malokut në temë dite prej disa javësh tashmë. Këtë të enjte i ftuar në studion e “Top Talk” ka qenë Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

A duhej transmetuar intervista me Xhisielën apo jo? Kjo ka qenë kryefjala në studion e “Top Talk”.

Aleksandër Çipa shprehet se nuk ka qenë kundër marrjes në intervistë të vajzës, por gazetarët duhet të ishin treguar më të kujdesshëm e duhet të kishin pasur parasysh gjendjen e rënduar psikike të Xhisielës, e për këtë arsye më parë ata duhet të ishin konsultuar edhe me një psikolog.

“Mediat tek ne janë gjithmonë protagoniste të garës të informimit, por fatkeqësisht nuk fiton etika. Rasti i fundit tregoi se nuk e ruajtëm dot, e lënduam viktimën. Beteja jonë është e humbur, pasi në të gjitha momentet e raportimit, ajo fitohet kur intervistohet protagonisti, autori i ngjarjes dhe jo viktima e ngjarjes. S’jam i mendimit që nuk duhej intervistuar Xhisiela, por presioni publik që pati nga pozita dhe gjendja e rënduar psikologjike në të cilën ndodhej. Ndoshta e konsultuar ashtu siç e bëjnë mediat ndërkombëtare në raste të tilla çdo gazetar ka një konsulencë me psikologun. Gjendja psikike e saj ishte dukshme e rëndë. Në këtë sens moderatorët duhet të ishin më të kujdesshëm për gjendjen e saj psikologjike”, u shpreh ai.

I pyetur nëse ka spekulimi mbi intervistën e dhënë, Çipa u përgjigj se kjo është një përgjigje retorike pasi në Shqipëri fatkeqësisht spekullimi është normal, por sipas tij ka shumë dritëhije në raportimet e saj.

“Nuk kemi arsye që ta paragjykojmë cilësinë e raportimit të saj. Ka shumë dritëhije në rrëfimet e saj, pasi ka pasur disa variante të së vërtetës”, tha Çipa, teksa thekson se këtu kemi disa institucione që nuk kanë kryer detyrën dhe se tashmë çështja po përdoret politikisht

“Policia e Prokuroria e ka të detyrueshme të raportojë për çdo rast. Nga momenti që palët politika e ka marrë këtë rast dhe po e përdor me shumë arrogancë, tashmë nuk është më një çështje sociale, por po përdoret politikisht”, u shpreh kreu i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA