Fenomeni i ndeshjeve të fiksuara në futboll nga kompani angleze, ka prodhuar skema mashtrimi edhe në Shqipëri. Prokuroria ka dërguar për gjykim ish-presidenten e ekipit te futbollit të Kastriotit, Anisa Hysa, e cila akuzohet për mashtrim ndaj nipit të presidentit të ekipit të futbollit të Korabit, Mario Meziu.

Sipas kërkesës për gjykim që është dorëzuar në gjykatë, Anisa Hysa akuzohet se nëpërmjet mashtrimit i ka marrë 10 mijë euro Mario Meziut me premtimin se paratë do të investoheshin në formë bastesh në Angli dhe do të përfitoheshin shuma të tjera.

Sipas kërkesës për gjykim, e pandehura Hysa e kishte garantuar viktimën e saj se investimi ishte i sigurt dhe qe gjithçka do të behej në rruge bankare ku vete investuesi në këtë rast Mario Meziu do të mund të kontrollonte llogarinë e tij online.

Por e vërteta rezultoi se Meziu jo vetëm që nuk mori fitimet e premtuara, por nuk mori as paratë që i kishte dhënë ish presidentes se Kastriotit.

Edhe pse e pandehura pretendon se në emër të Meziut është hapur një llogari bankare ku është derdhur shuma prej 10 mijë eurosh, ky fakt rezulton i pavërtetë pas hetimit të Prokurorisë dhe informacionit që është marrë nga të gjitha bankat e nivelit të dytë.

Në këto kushte prokuroria e Tiranës e quan të plotë hetimit duke i kërkuar gjykatës gjykimin e Anisa Hysës për veprën penale të mashtrimit.

Top Channel