Pasi rigjeti qetësinë në kampionat, me tre fitore radhazi të cilat e ngjitën në vendin e katërt të renditjes së Serisë A, Interi po përgatitet për ndeshjen e dytë të fazës në grupe të Champions Leagues, atë ndaj PSV-së në Holandë.
Për shkak edhe të një liste të reduktuar, Luciano Spalletti duket se e ka të qartë një pjesë të madhe të formacionit, ndërsa dilema e vetme mbetet në krahun e djathtë të sulmit.
Kështu në mbrojtje, në të majtë do të aktivizohet Asamoah, pasi braziliani Dalbert është jashtë listës Champions, ndërsa në krahun e djathtë tekniku zikaltër konfirmoi Danilo D’Ambrosion, për të cilin foli me superlativa dhe në qendër do të jetë radha e dyshes Skriniar-De Vrij.
Mesi i fushës do të jetë i njëjtë si në ndeshjen me Tottenhamin, pra Vecino-Brozoviç, me Nainggolan pas sulmuesit kryesor, që këtë herë do të jetë kapiteni Icardi, pasi Martinez do të ulet në stol.
Edhe në krahun e majtë të sulmit do të rikthehet në formacion kroati Perisiç, i cili luajti vetëm disa minuta të shtunën ndaj Cagliarit, ndërsa në krahun e djathtë të sulmit, ka ende dilema nëse do të luajë Candreva apo Mateo Politano, me ish sulmuesin e Sassuolos disi më favorit.
Top Channel