Brazili dhe Polonia do të jenë skuadrat finaliste të kampionatit botëror të volejbollit për meshkuj, ashtu si 4 vite më parë. Polonia, që do të kërkojë të përsërisë suksesin e vitit 2014, mundi në gjysmëfinale Shtetet e Bashkuara me rezultatin 3-2.
Ajo mes këtyre dy skuadrave ishte një përballje e luftuar dhe intensive, teksa u deshën të luhen 5 sete. Polonia fitoi setin e parë 25-22, por skuadra amerikane u përgjigj duke fituar të dytin dhe të tretin 25-20 dhe 25-23. Seti i katërt dhe ai i pestë folën për kampionët e botës, që i fituan ato 25-20 dhe 15-11 respektivisht, për të kaluar në finale, ku do të kërkojnë të fitojnë titullin botëror për të dytën herë radhazi dhe të tretën në historinë e volejbollit polak.
Brazili e pati shumë më të lehtë ndeshjen e tij gjysmëfinale. Skuadra amerikano-latine, që kërkon titullin e katërt të saj, u kualifikua për në finalen e Botërorit pasi mundi Serbinë me rezultatin e pastër 3-0. Brazili ishte superior ndaj Serbisë, që e pati të pamundur t’i kundërpërgjigjej forcës së kësaj skuadre. 25-22, 25-21 dhe 25-22 ishin rezultatet e seteve në favor të Brazilit, që do të luajë finalen e pestë radhazi në Botërorin e volejbollit dhe të gjashtin në total në historinë e tij.
Top Channel