Botërori i basketbollit për femra, SHBA-Australi në finale

30/09/2018 11:39

Shtetet e Bashkuara dhe Australia janë skuadrat që do të diskutojnë titullin botëror në basketboll për femra. Skuadra amerikane, që do të luajë finalen e 11 të saj në të tilla turne, mundi në gjysmëfinale Belgjikën me rezultatin 93-77.

Sfida ishte e ekuilibruar deri në periodën e tretë, kur u regjistrua edhe barazimi 52-52. Pas kësaj, skuadra amerikane vendosi të marrë frerët e lojës në duar, duke filluar shkëputjen nga skuadra belge, e cila e pati të pamundur të rezistojë ndaj kampioneve të botës në fuqi për pjesën e mbetur të ndeshjes.

Për Shtetet e Bashkuara, ajo që spikati ishte veterania Diana Taurasi, me 26 pikë, ndërkohë që u dallua edhe Breanna Stewart, me 20 pikë dhe 7 topa në tabelë.

Ndërkohë, Australia u kualifikua për në finalen e Botërorit të basketbollit të femrave pasi mundi në gjysmëfinale Spanjën, duke zhgënjyer të gjithë tifozët iberikë në Tenerife.

Pas një fillimi jo shumë të mirë të ndeshjes, ku Australia arriti të krijojë një diferencë prej 15 pikësh, Spanja e mori veten dhe e mbylli pjesën e parë 35-34. Pas pushimit, skuadra iberike arriti të krijojë avantazhin 58-50, duke lënë të kuptohet se ajo do të siguronte finalen e dytë radhazi në Kupën e Botës.

Perioda e katërt ishte fantastike për basketbollistet australiane dhe një katastrofë për ato spanjolle. Australia, e udhëhequr nga Cambage, shënoi një rezultat të pjesshëm 22-8, duke fituar krejt ndeshjen dhe të drejtën për t’u kualifikuar për në finalen e madhe të Botërorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA