Nga mesnata, në Maqedoni nis heshtja zgjedhore para votimit të së dielës për referendumin që është konsideruar historik.
Plot 1.8 milionë votues janë ftuar të deklarohen mbi marrëveshjen me Greqinë, që parashikon ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, gjë që do t’i jepte fund përplasjes 27-vjeçare me fqinjin jugor.
Greqia, anëtare e Bashkimit Europian dhe e NATO-s, kishte vendosur veton ndaj pranimit të Maqedonisë në këto organizata për shkak të emrit, që sipas Athinës mund të çonte në pretendime territoriale dhe kulturore ndaj rajonit grek me të njëjtin emër.
Me marrëveshjen e arritur, pala maqedonase ka pranuar se Maqedonia e sotme dhe maqedonasit që jetojnë në këtë vend nuk kanë lidhje me maqedonasit e lashtë, sikurse nuk ka lidhje as gjuha e saj, që është pjesë e grupit të gjuhëve sllave.
Edhe pse referendumi është konsultativ, partitë qeverisëse – të udhëhequra nga kryeministri Zoran Zaev – synojnë që pjesëmarrja të jetë mbi 50 për qind, por edhe sikur kjo të mos arrihet, kryeministri ka thënë se çështja do t’i kalojë Kuvendit për hapa të mëtejshëm.
Opozita e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja si dhe presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, e kundërshtojnë marrëveshjen për emrin.
Partitë shqiptare e kanë mbështetur pa përjashtim marrëveshjen me Greqinë dhe referendumin. Por, opozita që përfaqësohet nga Aleanca për Shqiptarët ka thënë se pas referendumit, kur në rend dite të vijnë ndryshimet kushtetuese do të propozojë amendamente për përmirësimin e statusit juridik të shqiptarëve, përfshirjen e tyre në preambulë si popull shtetformues dhe përcaktimin e gjuhës shqipe si zyrtare në Maqedoni.
Top Channel