Spanja, Franca, Kina dhe Nigeria janë 4 skuadrat e tjera çerekfinaliste të Botërorit të basketbollit të femrave.
Skuadra spanjolle, që luan në vendin e saj këtë turne, eliminoi në raundin kualifikues Senegalin me rezultatin 63-48. Dy periodat e para ishin të ekuilibruara, me skuadrat që shkuan në pushimin e ndeshjes me rezultatin e barabartë 34-34. Në dy periodat e tjera ishte Spanja që vendosi përfundimisht diktatin, për të fituar këtë ndeshje me avantazhin e 15 pikëve.
Franca siguroi vendin e saj mes 8 më të mirave të turneut pas fitores me Turqinë me rezultatin 78-61. Basketbollistet transalpine ishin në kryesim të sfidës gjatë të gjithë kohës, duke e fituar me meritë këtë përballje. Për Turqinë, momenti më i mirë ishte perioda e tretë, ku ajo shënoi rezultatin 20-20 ndaj francezeve, për të cilat në këtë ndeshje u dallua Sandrine Gruda, me 20 pikë e 7 topa në tabelë.
Kina fitoi derbin aziatik me Japoninë për t’u kualifikuar për në çerekfinale. 87-81 është rezultati me të cilin basketbollistet kineze fituan këtë përballje ndaj atyre japoneze. Japonia fitoi periodën e parë dhe të katërt të kësaj sfide, por diferenca e pikëve e krijuar në këto dy perioda ishte më e vogël në krahasim me atë që Kina krijoi në periodën e dytë dhe të tretë, që i dhanë mundësinë kësaj të fundit të fitojë këtë përballje.
Nigeria vazhdon të befasojë në Botërorin e basketbollit për femra. Skuadra afrikane u kualifikua për në çerefinalet e këtij turneu për herë të parë, pasi mundi në një ndeshje dramatike Greqinë me rezultatin 57-56. Nigeria i mbylli 3 periodat e para në avantazhin e 11 pikëve, 48-37. Në periodën e fundit, Greqia kërkoi të përmbysë këtë rezultat, por basketbollistet helene nuk ia dolën mbanë dhe vetëm sa e ngushtuan në 1 pikë atë, duke e fituar periodën e katërt 19-9, duke parë Nigerinë që të kalojë në çerekfinale.
Top Channel