Barleti dhe Tirana janë skuadrat fituese të Kupës së Federatës në volejboll për femra e meshkuj.
Në Parkun Olimpik “Feti Borova” u zhvilluan finalet e këtij kompeticioni, ku Barleti për femra dhe Tirana për meshkuj patën një kundërshtar të përbashkët, Partizanin.
Në kategorinë e femrave, Barleti iu imponua volejbollisteve të Partizanit teksa i mundën me rezultatin 3-1. Barleti i mbylli shumë shpejt historitë e setit të parë, që e fitoi 25-10. Në setin e dytë, Partizani e përmirësoi paraqitjen e tij, duke përfituar edhe nga një shpërqendrim i mundshëm i skuadrës së drejtuar nga Hasan Gurabardhi, për ta fituar atë 25-20. Në setin e tretë dhe të katërt u pa sërish një dominim i Barletit në rezultat, që i fitoi ata respektivisht 25-13 dhe 25-17, për të ngritur në fund edhe trofeun.
Partizani u dorëzua edhe në finalen e meshkujve të Kupës së Federatës, pikërisht në derbin me Tiranën. Ashtu si kolegët e Barletit, volejbollistët bardheblu e fituan këtë ndeshje me rezultatin 3-1. Seti i parë ishte i rivalizuar, me Tiranën që e fitoi atë me rezultatin e ngushtë 25-23. Kundërpërgjigjja e të kuqve ishte e menjëhershme, pasi fituan setin e dytë 25-21. Seti i tretë ishte krejtësisht për t’u harruar për Partizanin, pasi Tirana e fitoi atë thellë 25-11, ndërkohë që i katërti ishte i rivalizuar, por në fund ishin sërish bardheblutë ata që fituan dhe e mbyllën atë 25-22, për t’u shpallur edhe fitues të Kupës së Federatës.
Top Channel