Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza është marrë në pyetje për më shumë se dy orë në Prokurorinë e Tiranës, pasi akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Kjo akuzë ka të bëjë me faktin e zbuluar gjatë procesit të vetting-ut, ku rezultoi se gjyqtari Thanza nuk kishte deklaruar një dënim penal që kishte marrë në Itali në vitin 1999 për akuzën e vjedhjes. Këtë dënim Admir Thanza e kishte marrë kur ishte gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës dhe pavarësisht këtij dënimi ai ka vazhduar për 22 vite karrierën e tij në Shqipëri duke u zgjedhur deri në shkallët më të larta të drejtësisë në vend, në Gjykatën Kushtetuese.
Por ky dënim nuk ka kaluar në heshtje gjatë procesit të vetting-ut, ku Komisoni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) konstatoi dënimin penal. Menjëherë më pas, Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal dhe paraditen e së hënës Thanza u thirr si i akuzuar në Prokurorinë e Tiranës.
Burime të Top Channel bëjnë me dije se ish-gjyqtari i lartë i ka qëndruar versionit të tij se veprën e vjedhjes për të cilën është dënuar nuk e ka kryer asnjëherë, por që ka qenë i detyruar të merrte përsipër një veprim të kunatës së tij në mënyrë që të mos rrezikonte kujdestarinë e nipit që duhej të operohej në Itali nga një sëmundje.
Ndërsa mosdeklarimin e këtij dënimi, e ka justifikuar me faktin se kështu ishte këshilluar nga avokati i tij gjatë kohës që kishte plotësuar formularin e dekriminalizimit.
Pas seancës së pyetjeve, Thanza, i cili ishte i vetëm në prokurori, shmangu interesimin e gazetarëve.
Top Channel