Pastrimi i kanaleve kulluese dhe mbajtja në gatishmëri e tyre mbetet çështja kryesore për shmangien e përmbytjeve në qytetin e Durrësit dhe periferitë e tij, ndërsa shirat po afrojnë.

Të pamirëmbajtura e të pambrojtura, kanalet janë kthyer në venddepozitim mbetjesh urbane dhe problem real për banorët, që gjithashtu kanë përgjegjësinë e tyre në këtë ndotje.

“Mbi 4-5 herë më është përmbytur shtëpia. Të gjitha ujërat e zeza brenda. Kemi bërë kërkesë si lagje, po nuk është vënë uji në zjarr. Ngrihesh në mëngjes për turp, do marrësh erën këtu e të vazhdosh. Po vuajmë shumë. Nuk e di pse. Thonë do të vijmë, do të vijmë, por na gënjejnë. Nuk kanë ardhur”, thotë një banor.

Pavarësisht shqetësimit qytetar të ngritur vazhdimisht edhe nga Top Channel, reagimi është i pamjaftueshëm. Pjesa më e madhe e kanaleve që përfundojnë me derdhje të lirë në det, në Porto Romano dhe në Plepa, janë të pambrojtur dhe të papastruar.

Mbetjet urbane kanë pushtuar edhe grykën e kanalit që shkarkon në hidrovorin e Porto Romanos. Kjo situatë i bën të pashmangshme përmbytjet në çdo sezon shirash. Jashtë mikrofonit, specialistë të Ujësjellës-Kanalizime Durrës dhe ndërmarrjes bashkiake “Rruga”, në përgjegjësi të të cilave janë hidrovoret dhe rrjeti i kanalizimeve, thonë se me fuqinë punëtore dhe numrin e pakët të mjeteve të rënda në dispozicion nuk mund të përballohet mbajtja në gatishmëri e rrjetit të kanalizimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA