SHBA është skuadra e parë që kualifikohet për në çerekfinale të Botërorit në basketboll për femra.

Skuadra amerikane fitoi edhe ndeshjen ndaj Kinës me rezultatin 100-88, duke e çuar bilancin në 2-0 dhe tashmë është e paarritshme nga skuadrat e tjera të grupit të saj. SHBA për pjesën më të madhe të kohës ishte në avantazh në këtë përballje me kinezet, për ta mbyllur atë me avantazhin e 12 pikëve.

Fitore shënoi edhe Spanja, skuadra e vendit organizator të këtij evenimenti, që mposhti Porto Rikon me rezultatin 78-58. Megjithatë, iberiket ende nuk e kanë siguruar vendin e parë në grupin e tyre që e kualifikon për në çerekfinale të këtij kampionati. Spanja nuk e nisi mirë sfidën pasi humbi përiodën e parë 8-15. Më pas, e udhëhequr edhe nga Astou Ndour, mori frenat e lojës në dorë duke dominuar 3 periodat e tjera për të mbyllur këtë sfidë me 25 pikë diferencë.

Por, lajmin e ditës në këtë eveniment e bëri Nigeria. Skuadra afrikane shkroi historinë teksa fitoi ndeshjen e saj të parë në një Kupë Bote të basketbollit të femrave, teksa mundi një ekip si Turqia me rezultatin 74-68. U duk se sfida do të ishte e lehtë për basketbollistet turke, që fituan periodën e parë 15-7, por Nigeria përmbysi gjithçka në 3 periodat e tjera të kësaj sfide duke e fituar atë me meritë të plotë. Sarah Ogoke ishte më e mira në këtë ndeshje për Nigerinë me 22 pikë, 4 topa në tabelë dhe 3 asist.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA