Dorëzimi i Klubit të Basketbollit Tirana përballë krizës financiare që e la edhe jashtë Ligës Ballkanike është një këmbanë alarmi për një situatë kritike që po kalojnë përgjithësisht sportet e ndryshme e në veçanti basketbolli, si një sport me masivitet ndër më të lartët pas futbollit.
Në një intervistë për Top Channel, Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari tregon se problemi mbetet një dhe i vetëm: mungesa e një ligji për sponsorizimet.
“Pa një ligj specifik për sponsorizimet, do të vazhdojmë të rropatemi në këtë formë dhe nuk do të mund të kemi as ekipe basketbolli dhe as sport profesionist”, deklaron Ponari.
Aktualisht, klubet shqiptare të basketbollit janë nën menaxhim të pushtetit lokal, i cili në varësi të situatave financiare i paguan ose jo, ndërkohë që edhe sponsorizimet minimale paguhen vetëm me miqësira.
“Sot, sporti paguhet në forma nga më të ndryshmet, por që nuk i shërben aspak, pasi nuk i shërben as rritjes së cilësisë dhe nga krahu tjetër ka lënë jashtë sistemit rreth 10 mijë sportistë që nuk figurojnë në asnjë bordero apo zyrë tatimesh”, shpjegon Ponari.
Por, çfarë do të ndodhë deri në pritje të miratimit të këtij ligji?
“Ne do të vazhdojmë siç kemi vazhduar deri më tani. Në të njëjtën situatë si Tirana ka edhe klube të tjera. Vjet u tërhoq Vllaznia, këtë vit Tirana. Elbasani është në krizë, Durrësi ka marrë disa para’ nga bashkia, por nuk zgjidhet kjo gjë kështu”, thekson Ponari.
Top Channel