Në Ditën Ndërkombëtare pa Makina, edhe kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, i është bashkuar homologëve të tij duke promovuar rrugë të çliruara nga zhurmat, stresi dhe ndotja.
Ministria e Mjedisit mbështeti aktivitetet e ditës në kuadër të një fushate 3-mujore të titulluar “Të pastrojmë Kosovën”.
Sevdije Lama, këshilltare në Ministrinë e Mjedisit, u shpreh: “Ministria e Mjedisit është përkrahëse e aktiviteteve të tilla që synojnë sensibilizimin e qytetarëve që të paktën një ditë të lënë makinat e tyre që emetojnë lëndë të dëmshme për organizmin dhe si një përpjekje për të kontribuar në mbrojtjen e mjedisit dhe të zëvendësojnë ato me biçikleta apo me mjete më miqësore për mjedisin”.
Aktivistët në mbrojtje të mjedisit nënvizojnë se kjo është java më e rëndësishme për ambientin në Kosovë dhe bënë thirrje për të përdorur sa më pak makinat, për të kthyer sytë nga transporti publik dhe biçikletat dhe për këto të fundit janë kërkuar nga autoritetet lokale që të ndërtohen korsi të veçanta.
Në kuadër të javës së lëvizshmërisë, në Kosovë u zhvilluan aktivitete në 7 qytete të ndryshme si Mitrovicë, Pejë, Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Gjilan dhe Prishtinë, aktivitete këto që kulmuan të shtunën, në Ditën Ndërkombëtare pa Makina.
Top Channel