Tirana, në pikë kritike. Kampionia në fuqi e basketbollit, pa mbështetje financiare

21/09/2018 17:09

Kampionia në fuqi e basketbollit shqiptar, Tirana, ndodhet në një pikë kritike financiare në prag të këtij kampionati të ri.

Gjithçka fillon nga humbja e mbështetësit të saj kryesor, që është Bashkia e Tiranës, e cila është edhe institucioni që e ka nën adiministrim shumësportëshin dhe basketbollin bardheblu. Pas dy viteve të fundit shumë të suksesshme nën mbështetjen e pushtetit lokal dhe ish-basketbollistit Ilir Trebicka, i cili nga ky sezon po mendon në rikthmin e emrit të Dinamos, bardheblutë gjenden në kolaps.

Pak ditë më parë, Anxhelo Koleka, i cili mban edhe statusin e Presidentit të Klubit të Basketbollit Tirana ka njoftuar organizatorët e Ligës Ballkanike se skuadra e tij nuk ka mundur të sigurojë financat për pjesëmarrje në këtë sezon.

“Bashkia na ka ndihmuar, por në këtë moment vështirësie nuk na ndihmoi. Na premtuan një shifër të mirë, me të cilën mund të pretendonim që të futeshim në finalet e Ligës Ballkanike, por në fund na thanë jo”, shprehet Koleka.

Tirana është klubi i cili në dy vitet e fundit jo thjesht ka dominuar basketbollin vendas, por i hapi rrugën basketbollit shqiptar të njihet e të marrë pjesë në aktivitetet jashtë territorit të Shqipërisë, si Liga Ballkanike.

“I dhamë zhvillim shumë të madh basketbollit. Pas dy viteve tona të suksesshme, të gjitha ekipet kanë filluar të marrin lojtarë të huaj. Basketbolli po vihej në shinat e duhura, por na u prenë krahët. Tani duhet ta fillojmë prapë nga zeroja”, shprehet Koleka.

Kjo situatë zero e rrezikon skuadrën bardheblu edhe për sezonin e ri të basketbollit vendas, që fillon në javën e parë të muajit tetor.

“Në këtë moment, të gjitha financat e Tiranës janë me miqësi, shoqëri, shko te njëri, shko te tjetri për të shtyrë ditën. Nuk kemi buxhet për të siguruar të gjithë sezonin”, thekson Anxhelo Koleka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA