Grupet parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë depozituar kallëzim penal ndaj Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.
Opozita e akuzon atë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në dokumentin e padisë që disponon Top Channel, PD dhe LSI i drejtohen Prokurorisë së Tiranës, duke theksuar se “lëvizjet kaotike dhe me urdhër politik të prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, pa asnjë plan të mirëfilltë organizimi dhe që kanë sjell dështimin e të gjitha çështjeve me ndjeshmëri të lartë publike, janë veprime të kundërligjshme, që prekin drejtëpërdrejtë interesin e shtetit dhe të shtetasve”.
Përmes kësaj padie, opozita akuzon kryeprokuroren Arta Marku se ka vendosur të shpërbëjë tërësisht grupin e prokurorëve të çështjes penale ndaj ish-ministrit Tahiri, duke ndërhyrë në mënyrë aktive për dështimin e hetimeve ndaj tij. Padia e opozitës i referohet edhe çështjes Shullazi, për të cilën theksohet se Prokuroria ka dështuar të përfaqësojë akuzën dhe shtetin në gjykim e për këtë përsëri bëhet fajtore kryeprokurorja Marku.
Aktet e saj konsiderohen si të paligjshme nga opozita, sipas së cilës ato provojnë tërësisht se qëllimi i Arta Markut në detyrë është shërbimi politik ndaj Edi Rama dhe dëshmi i pengimi i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të Qeverisë apo organizatave kriminale të lidhura me të.
“Në mbështetje të neneve 240-243 të Kodit të Procedurës Penale, paraqitjen e kërkesës për marrjen e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” apo “ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale”, për personat e kallëzuar në këtë Kallëzim Penal, të cilët nëse vijojnë punën mund të prishin provat apo pengojnë hetimin”, thuhet në kallëzim penal të opozitës.
Top Channel