Prokuroria e Krimeve të Rënda bën të ditur se është caktuar grupi i prokurorëve që do të përfaqësojnë në gjykim çështjen “Shullazi”.
Jo zyrtarisht, Top Channel me anë të gazetares Anila Hoxha, ka mësuar se dy prokurorët e kësaj çështje janë kryeprokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela dhe Gentian Osmani. Sipas burimeve, ata janë paraqitur vullnetarisht, por mbetet ende e paqartë se kush do të jenë dy emrat e tjerë, por ende nuk është e sigurt nëse do të ketë edhe dy prokurorë të tjerë.
“Në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë përcaktohet grupi i prokurorëve që do të përfaqësojnë në gjykim çështjen në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi. Emrat e prokurorëve do të bëhen publikë në seancën gjyqësore të radhës”, thuhet në njoftimin e thatë zyrtar të këtij institucioni.
Seanca e pretencës do të mbahet më 25 shtator, ndërkohë kryeporokuroja e Krimeve të Rënda, Donika Prela ka kërkuar ndërhyrjen e Arta Markut për të gjetur prokurorë të rinj.
Një ditë më parë Arta Marku ka urdhëruar procedimin disiplinor për 10 prokurorët që refuzuan shortin. Seanca e pretencës ishte vendosur për në 11 shtator, por prokurori Eneid Nakuçi, i sëmurë befas, ka kërkuar leje 6-mujore. Nuk dihet nëse prokurori ka frikë apo është kërcënuar. Këto dyshime shtohen edhe për faktin se Donika Prela gjatë mbledhjes ka propozuar blindim të grupit hetimor, me propozimin që nga dy prokurorë, gjatë mbledhjes në pretencë të paraqiten katër, përfshi edhe atë vetë.
Top Channel