Pas 15 vitesh, shkolla 9-vjeçare “Kosova” çeli sot dyert e saj për të mirëpritur 400 nxënës.Për të uruar nxënësit dhe stafin pedagogjik në ditën e parë të vitit të ri shkollor, ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj uroi nxënësit e shkollës “Kosova” për fillimin e vitit të ri shkollor që këtë vit nuk do të duhet të studiojnë me dy turne të shpërndarë nëpër shkolla të tjera.
“Mua sot më gëzon zemra kur shoh ish-shkollën time e transformuar pas një kaluari shumë shumë të gjatë. Jam i sigurt që sot i gëzon zemra jo vetëm atyre që janë nxënës, por atyre që janë prindër, atyre që janë gjyshër dhe gjyshe, atyre që janë dhe fqinjët e këtij komuniteti dhe anëtarët e këtij komuniteti se si shohin një tokë të shkretë, një histori të dhimbshme të tranzicionit tonë të transformuar në një mrekulli. Ne të gjithë kemi qenë krenar dhe kemi thënë, kemi bërë shkollën “Kosova”, u shpreh Veliaj, teksa tha se shkolla Kosova përfaqëson edhe një histori që e përmbledh gjithë tranzicionin e saj në pak metra katrorë, që nga djegia dhe tentativat për të bërë pallat e deri tek rindërtimi i saj me kushte moderne.
“Kjo shkollë pa edhe rrumpallën e viteve ’90 edhe ndërtime pa leje rreth saj, madje edhe në oborr kemi pasur disa ndërtime pa leje që ju e dini fare mirë me sa mund janë prishur. Kjo shkollë pa edhe atë kazino-kapitalizmin e dikujt që ishte gati jo vetëm ta digjte shkollën, por të mbyllte letrat në gjykatë me një eficencë që askush se kishte parë ndonjëherë në gjykatat shqiptare dhe ta përgatiste për një grabitje të madhe. Ja ku jemi sot dhe unë besoj që pavarësisht se çfarë dëgjojmë në fund veprat mbeten dhe ajo që vendosëm me kryeministrin që dua ta falënderoj me gjithë zemër sot, si një nga meraqet e para kur ne fituam Bashkinë e Tiranës për të filluar punën, shkolla “Kosova”. Në fakt bëmë një shpronësim që na vlejti pothuajse sa e gjithë vlera e shkollës e megjithatë thamë, ia vlen, duhet bërë. Është domosdoshmëri që Tiranës t’i japim jo vetëm një shkollë të re, por edhe një simbol të ri se çfarë do të thotë të bësh punë publike”, u shpreh Veliaj.
Top Channel