Janë zhvilluar ndeshjet e raundit të dytë në grupe të kampionatit botëror të volejbollit për meshkuj, që po zhvillohet në Itali dhe Bullgari.
Në grupin A, skuadra italiane regjistroi fitoren e dytë në po kaq ndeshje, e këtë radhë mundi Belgjikën 3-0. “Të kaltrit” e dominuan krejtësisht sfidën, duke i fituar setet 25-20, 25-17 dhe 25-16 dhe ata që spikatën ishin Ivan Zaytsev dhe Giannelli.
Me këtë fitore, Italia qëndron në vendin e parë në grupin A, me 6 pikë të plota, e ndjekur nga Sllovenia, Japonia e Belgjika me nga 3 pikë.
Në grupin B, në program ishte supersfida mes Brazilit dhe Francës, në fund të së cilës ajo që triumfoi ishte skuadra amerikano-latine me rezultatin 3-2. Brazili u duk se do ta mbyllte shpejt këtë ndeshje, pasi mori kryesimin në 2-0, me sete që i mbylli me të njëjtin rezultat 25-20.
Por, Franca u kundërpërgjigj duke fituar setin e tretë dhe të katërt, 25-21 dhe 25-23, për ta çuar sfidën në setin final, ku në fund më të mirën e mori Brazili, që e mbylli këtë fraksion 15-12 dhe krejt ndeshjen 3-2. Grupi B, pas dy ndeshjeve të para kryesohet nga Kanadaja, me 6 pikë, i ndjekur nga Brazili me 5.
Fitore shënoi edhe Serbia ndaj Kamerunit, të cilin e mundi 3-0 në ndeshjen e dytë të grupit C. Skuadra e drejtuar nga Nikola Grbiç vuajti vetëm në setin e parë të sfidës, të cilin e mbylli 30-28. Më pas, gjithçka ishte shumë e lehtë për skuadrën ballkanase, që i dominoi dy setet e tjerë duke i mbyllur me rezultatin 25-16 dhe 25-17.
Serbia është në vendin e dytë në grupin C, me 4 pikë, po aq sa edhe Shtetet e Bashkuara, që e kanë fituar ndeshjen e drejtpërdrejtë me të.
Top Channel